Ndërlidhjet

Përpjekje për luftim të korrupsionit, por pak rezultate


Ilustrim

Ilustrim

Institucioneve të Kosovës i kërkohet shumë më shumë angazhim në reformat në sundim të ligjit në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformave Evropiane.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike gjatë një konference të martën, kanë adresuar sfidat e një shteti ligjor për Kosovën.

Në raportin e Grupi për Studime Juridike dhe Politike i titulluar “Sfidat e reformave të sundimit të ligjit në kuadër të MSA dhe agjendës së reformave evropiane”, është theksuar se kërkohet një vëmendje e veçantë nga institucionet e Kosovës sidomos në pikën e paanshmërisë dhe një gjyqësori efikas dhe të pavarur si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Numri i madh i lëndëve të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës po ashtu është theksuar si një nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.

Mungesën e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, përveç përfaqësuesve të shoqërisë civile i theksojnë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, thekson se përpjekjet për luftimin e korrupsionit nuk janë duke munguar, por që më rezultate, siç thotë ajo, nuk janë të kënaqur as vetë ata.

“Në këtë drejtim kemi intensifikuar përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar dhe në periudhën nëntë mujore të këtij viti kemi 51 raste në punë me 495 persona, dy raste të reja të pranuara gjatë kësaj periudhe me 60 persona, janë zgjidhur rastet për 106 persona, prej tyre për 54 persona është ngritur aktakuzë pas hetimeve. Ndërkohë, kanë ngelur të pazgjidhura 39 kallëzime penale me 389 perona”, ka bërë të ditur Morina.

Në raportin e fundit të progresit për Kosovën, të Bashkimit Evropian, është theksuar se Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të gjejë gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve politike në Kuvend dhe të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe dialog me Serbinë.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka theksuar se Kosova nuk po arrijë t’i tejkalon sfidat më të cilat përballet sistemi ligjor.

“Kohëve të fundit e gjithë shoqëria civile, institucionet ndërkombëtare dhe vendore duket që kanë një fokus më të theksuar në nevojën që Kosova të fokusohet në sundimin e ligjit dhe nevojën që Kosova të adresojë ato sfida që po na përkujtohen nga raporti i progresit i Komisionin Evropian, sfidat të cilat këto nuk po tejkalohen lehtë nga institucionet e Kosovës dhe po qëndrojnë si sfida të përhershme për vendin”, thekson Doli.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka theksuar se largimi i zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, amandamentimi i Ligjit për konflikt interesi dhe harmonizimi i legjislacionit me standardet evropiane, janë vetëm disa nga prioritetet që duhet të përmbush Kosova.

“Mund të jetë listë e gjatë e gjërave, shumë gjëra janë bërë, por ka edhe shumë që duhen bërë. Qytetarët duhet të kenë durim, unë vetëm dua t'i stimulojë të gjithë të fillojnë të punojnë në agjendën e reformave, për ta bërë këtë proces të mundur. Ky duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, jo vetëm i qeverisë, por edhe Parlamentit, gjyqësorit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, përfaqësuesve të biznesit, si dhe vet qytetarëve”, ka theksuar ajo.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar largimin nga postet publike të të gjithë zyrtarëve që janë përfolur për përfshirje në afera korruptive.

Ata shprehen se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar po bëhet më e “ashpër” dhe angazhimi në këtë drejtim është marrë seriozisht.​(REL)

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG