Ndërlidhjet

Historia në fakte ndihmon pajtimin në Evropën Juglindore


Ilustrim
Ilustrim

Në procesin e pajtimit në vendet e Evropës Juglindore, mësimi i historisë në bazë të fakteve është i domosdoshëm, u tha të martën në një debat në hapësirën e Parlamentit Evropian, të titulluar “Historia e së ardhmes”.

Gjatë debatit u prezantuan dy vëllime të reja të librave të historisë, në kuadër të projektit të historisë së përbashkët që udhëheq Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore.

Dy vëllimet e prezantuara, me titull: “Të mësuarit e historisë bashkëkohore të Evropës Juglindore”, si burime në të cilat mund të bazohen ligjëruesit e historisë, përfshijnë periudhën e luftës së ftohtë, tranzicionin në këtë pjesë të Evropës dhe atë të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Të pranishmit në debat ishin të mendimit se duhet kundërshtuar interpretimin egocentrik dhe etnocentrik të historisë, që shpesh shihet në rajonin e Ballkanit.

Erhard Busek, president i bordit të drejtorëve të Qendrës për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore, i cili një kohë ishte edhe shef i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, tha se “më shumë sesa ndihmë financiare, BE-ja do të ndihmonte sikur të përfitonte vendet e rajonit që të përdorin këto tekste”.

Në këtë konferencë foli edhe Komisioneri i BE-së për Negociata të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Johanes Hahn, i cili uroi autorët për punën dhe tha se Komisioni Evropian do të çmonte autoritetet e vendeve të rajonit të vendosnin që ato të përdoren si libra shkollor.

“Askush nuk di më shumë për historinë sesa vet mësuesit dhe ata duhet gjeneratave të reja t’ua mësojnë atë me fakte”, tha Hahn, duke shprehur shpresën se popujt e rajonit do të vazhdojnë procesin e pajtimit.

Hahn ka thënë se kohët e fundit, duke ushtruar punën e tij si Komisioner për Negociata të Zgjerimit, ka vërejtur një vullnet më të madh në rajon për pajtim dhe se këtë duhet shfrytëzuar.

Debatin në fjalë e moderoi nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila është edhe raportuese për Kosovën. Edhe ajo bëri ftesë që historia të shikohet nga këndet e ndryshme dhe të mos kenë njerëzit qasje ndaj saj në mënyrë përjashtuese.

“Ka shumë njerëz që thonë “ne e dimë të vërtetën dhe vetëm kjo është e vërteta. Kjo qasje në rajon merr një dimension edhe më të madh në kohën e mediave sociale. Prandaj është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim në këtë drejtim”, ka thënë Lunaçek.

Ky projekt u mbështet edhe nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me seli në Sarajevë. Shefi i këtij Këshilli, ish-ministri i Jashtëm i ish-Jugosllavisë së cunguar, Goran Svillanoviq, foli për të kaluarën traumatike të qytetarëve të Ballkanit dhe nevojën që për një të ardhme më të mirë të ketë më shumë mirëkuptim mes tyre.

Publikuesi i librave në fjala, Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore, sqaroi se këto tekste janë shkruar nga profesionistë nga shumë vende të rajonit dhe ndaj tyre nuk ka pasur ndikim politik.

U tha se shpesh kanë hasur në reagime nga vendet e ndryshme, sepse nuk e shohin të gjithë njëlloj historinë dhe nuk e kanë të njejtin interpretim rreth zhvillimeve. Por, në fund janë bazuar vetëm në fakte dhe në përvojën e ekspertëve të cilët kanë punuar në këtë projekt.

Në debat morën pjesë edhe deputetë të ndryshëm të Parlamentit Evropian, ndërsa të pranishëm ishin edhe disa ministra të arsimit nga vendet e rajonit, përfshirë edhe atë të Kosovës, Arsim Bajramin.

Komisioni Evropian është shprehur i gatshëm të mbështes këtë “projekt të historisë së përbashkët” me 1,6 milionë euro nga mjetet e para antarësimit, por kjo do të shihet në bazë të interesit të vendeve përkatëse për t’i shfrytëzuar këto libra. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG