Ndërlidhjet

Maqedonia me zona të lira ekonomike, por pa bashkëpunim me investitorët e huaj


Arkiv - Gjatë hapjes së një fabrike në zonën e lirë ekonomike në Bitola të Maqedonisë

Arkiv - Gjatë hapjes së një fabrike në zonën e lirë ekonomike në Bitola të Maqedonisë

Njohësit e çështjeve ekonomike konsiderojnë se autoritetet shtetërore në Maqedoni duhet të orientohen më shumë në krijimin e urave funksionale të bashkëpunimit mes kompanive të vendit me investitorët e huaj, me qëllim që ekonomia e vendit të përfitojë nga subvencionet e shumta që shteti ndan për kompanitë e huaja, të cilat veprojnë në zonat e lira ekonomike.

Sipas të dhënave nga Drejtoria për zonat zhvillimore industriale-teknologjike në Maqedoni, bashkëpunimi i kompanive vendore me zonat ekonomike ka arritur vlerën vetëm prej 46 milionë euro gjatë vitit të kaluar, përkatësisht vitit 2015, pavarësisht faktit se kompanitë e huaja të cilat funksionojnë në kuadër të zonave të lira ekonomike në Maqedoni, gjatë vitit të kaluar, kanë eksportuar mall në vlerë prej 1.475 miliardë euro, përderisa firmat në zonat ekonomike kanë importuar mall në vlerë prej 1.245 miliardë euro.

Por, sipas analizës nga Qendra ekonomike në Shkup, ekonomia e vendit nuk ka arritur të ndjejë përfitimet nga investimet e kompanive të huaja.

Ekspertët problemin e kanë fokusuar në mungesën e bashkëpunimit mes kompanive të huaja me ato të vendit.

“Për momentin, kompanitë e huaja të cilat funksionojnë në zonat ekonomike, në pëgjithësi shfrytëzojnë vetëm forcën e lirë të punës, e cila është manuale, kryesisht me përjashtime të vogla teknologjike."

"Pra, do të thosha se problemi qëndron në mungesën e informacioneve se çka mund të ofrojnë kompanitë vendore, si dhe si të avancojnë shërbimet e tyre për të cilat kanë nevojë kompanitë e huaja”, thekson Vesna Garvanlieva Andonova, e cila është një nga autoret e analizës së kryer nga qendra Ekonomike e Maqedonisë.

Përderisa Arben Halili, drejtor i zonës Ekonomike në Tetovë, thotë se Maqedonia si shtet po ndërton sistem të standardeve të dyfishta në aspektin e zhvillimit të zonave të lira ekonomike.

Halili rikujton se nga 14 zona ekonomike sa ka Maqedonia, ajo e Tetovës është e vetmja e cila funksionon me kapital publiko-privat, që nënkupton se të gjitha investimet në infrastrukturë janë kapital privat.

“Në këtë zonë, dy deri në tre gurthemele të dështuara u vunë nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit. Mbase, pasi u pa se shteti ndoshta nuk është i interesuar që të investojë në këtë pjesë. Dhe me ndryshimin e modelit të menaxhimit të kësaj zone, u vu në funksion kjo zonë ekonomike."

"Do të theksoja se përmes kompanive të huaja nuk synohet vetëm të ulet shkalla e papunësisë, por edhe ndërlidhja e bizneseve lokale me kompanitë e huaja që veprojnë në zonat ekonomike, me theks të veçantë edhe në zonën ekonomike në Tetovë”, thotë Halili.

Ndërkaq, analizat e Qendrës Ekonomike kanë nxjerrë në pah se kostoja për arkën e shtetit të Maqedonisë, për çdo vend të ri pune që hapet në zonat ekonomike, nga viti 2007 deri në vitin 2014 arrin vlerën deri në 21 mijë euro. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG