Ndërlidhjet

Obama: Thirrje Trumpit që t’i kundërvihet Rusisë nëse nevojitet


Barack Obama dhe Angela Merkel gjatë konferencës së sotme për gazetarë në Berlin

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka bërë thirrje pasardhësit të tij, Donald Trump, që t’i kundërvihet Rusisë kur ajo tu shmanget “vlerave tona dhe normave ndërkombëtare”.

Këto komente ai i ka bërë sot në Berlin, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Zoti Trump, i cili e merr presidencën amerikane më 20 janar, potencialisht ka sinjalizuar më tepër qasje pajtuese me Moskën.

Në vitet e fundit, lidhjet e Moskës me Uashigntonin kanë rënë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë, për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përplasje lidhur me Ukrainën, Sirinë dhe çështjet e tjera.

Obama u tha reporterëve se shpreson se Trump është “i gatshëm t’i kundërviheet Rusisë, kur ajo të shmanget nga vlerat tona dhe normat ndërkombëtare”.

Pas një bisede telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 14 nëntor, zoti Trump ka thënë se ai pret që “të ketë marrëdhënie të fuqishme dhe të qëndrueshme me Rusinë dhe popullin e Rusisë”.

Megjithatë, disa republikanë të njohur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, përfshirë senatorin John McCain, i kanë tërhequr vërejtjen Trumpit kundër përpjekjes për zbutjen e lidhjeve me Kremlinin.

XS
SM
MD
LG