Ndërlidhjet

Trump thuhet t'i ketë ofruar kritikut të ashpër të Obamës punën e këshilltarit ushtarak


Michael Flynn

Michael Flynn

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka ofruar ish-shefit të inteligjencës ushtarake, Michael Flynn, postin e këshilltarit për siguri kombëtare, kanë raportuar mbrëmë mediat amerikane.

Derisa nuk ka pasur njoftime se a e ka pranuar Flynn këtë ofertë, agjencia Reuters e ka cituar një zyrtar të lartë të zotit Trump që ka thënë se “kur presidenti i Shteteve të Bashkuara kërkon nga ju që të shërbeni, ekziston vetëm një përgjigje”.

Zoti Flynn ka shërbyer në dy vite të trazuara si drejtor i Agjencisë së Inteligjencës ushtarake në administratën Barack Obama, para se të largohej në vitin 2014 dhe të shndërrohej në kritik udhëheqës të politikave të jashtme të Obamës.

Zoti Flynn është veçanërisht kritik ndaj qasjes së Obamës për luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara janë më pak të sigurta nga terrorizmi sot, se që ishin para sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Ai e ka mbajtur një fjalim tejet energjik në Konventën Kombëtare Republikane, duke e paraqitur pikëpamjen e tij se kërcënimi nga Shteti Islamik kërkon qasje më agresive të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe e ka shprehur besimin e tij se Uashingtoni duhet të punojë më për së afërti me Rusinë.

Këto tema, zoti Trump i ka pranuar dhe i ka përsëritur shpeshherë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale.

Flynn është ideolog edhe i çështjeve të tjera të politikës së jashtme, të cilat Donald Trump i ka theksuar gjatë fushatës së tij, përfshirë negociatat e reja për marrëveshjen atomike me Iranin.

Përvoja ushtarake e zotit Flynn ka bërë që zgjedhja e tij të duket natyrore, që ai ta udhëheq Pentagonin. Por, pa pajtimin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ai nuk mund të jetë Sekretar i Mbrojtjes, pasi legjislacioni amerikan nuk lejon emërime publike të oficerëve ushtarakë për shtatë vjet, pasi ata të largohen nga shërbimi.

Michael Flynn me gradë është gjeneral-lejtnant dhe i ka 58 vjet. Ai është pensionuar nga ushtria në vitin 2014. Nëse emërohet në postin e këshilltarit për siguri kombëtare të zotit Trump, ai nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati i Shteteve të Bashkuara.

Flynn e ka krijuar reputacionin e tij në ushtri si një profesionist i mprehtë i inteligjencës dhe me shprehje direkte.

Hapat e zotit Trump në fushën e sigurisë kombëtare po ndiqen për së afërti nga aleatët amerikanë dhe, po ashtu, nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara. Konsiderohet se ai është duke i shqyrtuar një numër të politikanëve për ta udhëhequr Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes.

Të enjten, president i zgjedhur, Donald Trump, e ka mbajtur takimin e tij të parë ballë-për-ballë me një lider botëror, prej se fitoi në zgjedhjet presidenciale. Në këtë kuadër, ai privatisht u takua me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.

Besohet se zoti Abe ka kërkuar siguri të re për përkushtimin e Trumpit në mbrojtje të Japonisë, në periudhën kur Koreja Veriore po ndërmerr aktivitete atomike.

Gjatë fushatës, Donald Trump ka thënë se Japonia, si vend i pasur dhe zyrtarisht paqësor, do të duhej ta zhvillonte armatimin e saj atomik dhe ta mbrojë vetveten.

Zoti Trump nuk ka bërë komente pas takimit, por kryeministri Abe tha se nga takimi me presidentin e zgjedhur ka konkluduar se ai “është lider në të cilin unë mund të besoj shumë”.

Ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Ron Dermer, po ashtu e ka vizituar ndërtesën Trump Tower në Manhattan të Nju Jorkut dhe ka vlerësuar se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është “mik i vërtetë i Izraelit”.

“Ne besojmë të punojmë me administrattën Trump, me të gjithë anëtarët e kësaj administrate, përfshirë Steve Bannon, duke e bërë aleancën SHBA-Izrael më të fuqishme se kurrë më parë”, tha Dermer.

Steve Bannon është këshilltar i lartë i zotit Trump, i cili është kritikuar ashpër nga demokratët dhe aktivistët, se faqja në Internet, të cilën ai e drejton, Breitbart News, është një kanal për pikëpamje raciste dhe anti-semite.

Ambasadori izraelit ka refuzuar të bëjë komente direkte lidhur me këto akuza.

Lidhur me çështjet e politikës së jashtme, zoti Trump është konsultuar edhe me ish-sekretarin amerikan të shtetit, Henry Kissinger, për Kinën, Rusinë dhe Iranin, dhe është takuar me guvernatoren e Karolinës Jugore, Nikki Haley, që raportohet se është kandidate për Sekretare të Shtetit.

Bashkëpunëtorët kanë thënë se Trump, po ashtu, pritet të takohet me të nominuarin republikan për president amerikan në vitin 2012, Mitt Romney, gjatë fundjavës, për t’i zbutur mospajtimet, pasi Romney gjatë fushatës e kishte kritikuar Trumpin si person “mashtrues” dhe kishte kërkuar nga republikanët që mos votojnë për të.

Zoti Trump ishte përgjigjur në mënyrë të qetë, duke e quajtur “humbës” ish-të nominuarin, Mitt Romney.

Tash, Reuters dhe MSNBC raportojnë se Romney mund të jetë një tjetër kandidat për Sekretar të Shtetit në administratën e ardhshme të Donald Trumpit. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG