Ndërlidhjet

Thaçi e Mustafa nuk pajtohen me vlerësimet ndërkombëtare për korrupsionin


Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa nuk janë pajtuar me kushtëzimin e liberalizimit të vizave me luftimin e korrupsionit nga Bashkimi Evropian dhe me vlerësimet ndërkombëtare për shkallën e lartë të kësaj dukurie në vend.

Komentet e tyre, Thaçi e Mustafa, i kanë bërë gjatë takimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Presidenti Thaçi ka përsëritur kërkesën e tij për të sanksionuar me ligj ndalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje për kandidatët që ndiqen penalisht.

Përderisa ka vlerësuar se Kosova ka bërë dhe po i bën disa hapa pozitiv në luftimin e krimit dhe korrupsionit, Thaçi e ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian për kushtëzimin e liberalizimit të vizave me këtë dukuri, duke thënë se Kosova ka bërë shumë më tepër sesa vendet që tashmë janë përfshirë në liberalizim.

“Qasja jo plotësisht e drejtë e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po ua pamundëson qytetarëve të vendit lëvizjen e lirë pa viza. Vendi ynë ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në rajon, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Thaçi.

“Çdo kushtëzim i mëtutjeshëm i vizave me këtë luftë, do ta dëmtojë kredibilitetin e BE-së në Kosovë”, ka vlerësuar presidenti.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka folur edhe në lidhje me raportin e fundit të Transparency International, i cili sipas tij, i ka dy fytyra për Kosovën. Ai tha se duhet të bëhet një dallim i madh mes perceptimeve të qytetarëve dhe luftimit të korrupsionit nga ana e organeve kompetente, çka sipas tij, nuk është bërë nga Transparency International.

“Në njërën anë thuhet se Kosova qëndron mirë në luftën kundër korrupsionit. Dhe e dyta, se qytetarët e shohin korrupsionin si problemin më të madh dhe institucionet s’po bëjnë sa duhet. Ka dallim të madh mes perceptimit dhe ballafaqimit të qytetarëve me korrupsionin”, ka theksuar Mustafa.

Në këtë debat kanë marrë pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe përgjegjës nga fusha e sundimit të rendit dhe ligjit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se ka parë hapa konkret në drejtim të luftimit të korrupsionit, pasi që kohët e fundit hetimet po shtrihen edhe ndaj disa zyrtarëve të lartë.

Kurse, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se në vitin e fundit janë konfiskuar apo ngrirë pasuri nga 58 – 68 milionë euro.

Për një luftë edhe më efikase kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm, ai kërkoi që të nxirret edhe ligji përkatës, i cili sanksionon pasurimin e paligjshëm dhe parasheh marrjen apo konfiskimin e kësaj pasurie personave të korruptuar.

Sidoqoftë, në raportin e fundit, Transparency International e paraqet korrupsionin si një prej problemeve më të mëdha në Kosovë. Raportet e tilla, zakonisht mbështeten mbi perceptimet e qytetarëve. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG