Ndërlidhjet

Mosbalancimi i njësive zgjedhore, rrezikon legjitimitetin e zgjedhjeve


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Parlamenti i Maqedonisë nuk ka vepruar në drejtim të balancimit të gjashtë njësive zgjedhore aq sa ka Maqedonia, edhe pse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve(KSHZ), disa herë ka bërë thirrje për një gjë të këtillë, thotë Aleksanar Çicakoski, kryetar i KSHZ-së.

Çicakoski nënvizon se mos-harmonizimi i njësive zgjedhore mund të vë në pikëpyetje tërë procesin zgjedhor.

“Për këtë shkak, para shpalljes së zgjedhjeve, thashë se pabarazia te numri i votuesve të regjistruar sipas njësive zgjedhore, mund ta vë në rrezik të drejtën e barabartë të votës. Në këtë kuptim u dërguan disa iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, që të vlerësohet sa është në pajtim me Kushtetutën kjo zgjidhje ligjore”.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për momentin është kompetent që plotësisht t’i zbatojë dispozitat ligjore dhe ne jemi të fokusuar dhe do t’i respektojmë me përpikëri dispozitat ligjore. Gjykatës Kushtetuese i mbetet të vlerësojë se a është rrezikuar e drejta e barabartë, e paraparë me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë në raport me shmangien”, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Çicakovski.

Në tetor partia shqiptare UNITETI, ka ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetit të kësaj partie, Zulfi Adili, me caktimin e zgjedhjeve më 11 dhjetor, pa u balancuar njësitë zgjedhore, shkelet e drejta e votës së barabartë duke ulur dhe numrin e deputetëve shqiptarë.

Ndërkaq, Mersim Maksuti, ligjërues i Së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës duke komentuar mosprononcimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve pa u balancuar njësitë zgjedhore, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo paraqet edhe një indikator se Kushtetuesja, është në sinkron me interesat e partive në pushtet dhe jo në funksion të mbrojtjes së interesave të qytetarëve.

“Me vetë faktin se Gjykata Kushtetuese nuk prononcohet, duket qartë se kjo çështje nuk do të ndryshohet dhe se Gjykata Kushtetuese me veprimet ose mosveprimet e saj, dëshmon se nuk e luan rolin e saj kushtetues për mbrojtjen e Kushtetutës, mbrojtjen e legjitimitetit të zgjedhjeve që edhe një herë dëshmohet se institucionet e shtetit nuk janë në vijën e funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjorë”, vlerëson Maksuti.

Përderisa Sonja Stojadinviq, njohëse e çështjeve politike, thotë se mosbalancimi i njësive zgjedhore, mund të shfrytëzohet nga ana e forcave politike, të cilat nuk do të dalin të kënaqura nga rezultati i zgjedhjeve si alibi për të mos i njohur të njëjtat.

“Nëse ndonjëra nga partitë politike më 12 dhjetor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, refuzon të njohë rezultatin zgjedhor, kjo do të paraqesë dyfytyrësi, keqpërdorim, sepse pikërisht partitë politike kishin mundësinë që me votën e tyre të votojnë për balancimin e njësive zgjedhore”, vlerëson Stojadinoviq.

Ajo shton se një veprim i këtillë mund ta zhysë vendin në kizë edhe më të thellë politike.

Ndryshe partitë politike nuk arritën marrëveshje për balancimin e 6 njësive zgjedhore, me atë që njësinë zgjedhore 6 që përfshin pjesën e Maqedonisë veriperëndimore, paraqitet me rreth 30 mijë votues më shumë sesa një njësi tjetër zgjedhore.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG