Ndërlidhjet

Obama dëshiron marrëveshje për Ukrainën, për Sirinë “nuk është optimist”

  • RFE /RL

Barack Obama gjatë konferencës së mbrëmshme për gazetarë në Peru

Barack Obama gjatë konferencës së mbrëmshme për gazetarë në Peru

Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se dëshiron të arrijë marrëveshje me negociata për zgjidhje paqësore në Ukrainë, para se të largohet nga zyra në muajin janar.

Mëtutje, gjatë një konference për gazetarë mbrëmë në Peru, ku ka marrë pjesë në Samitin për Bashkëpunimin Ekonomik Azi – Paqësor (APEC), zoti Obama e ka kritikuar rolin e Iranit dhe Rusisë në luftën civile brutale në Siri.

Presidenti amerikan tha se ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për Ukrainën dhe për “nevojën që ne t’i kryejmë gjërat”.

“Kam kërkuar nga ai që t’i udhëzojë negociatorët e tij që të punojnë me ne, me Francën, Gjermaninë dhe Ukrainën, për të parë nëse ne mund ta bëjmë këtë deri në përfundim të mandatit tim”, tha Barack Obama.

Moska i ka mbështetur separatistët prorusë, që luftojnë kundër forcave qeveritare në pjesën lindore të Ukrainës. Nga ky konflikt, deri tash janë vrarë afro 10 mijë njerëz.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është pritur me shqetësim në Ukrainë, për shkak të lavdërimit që Trump i ka bërë presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Duke u shprehur për Sirinë, Obama tha se “nuk është optimist” për të ardhmen e menjëhershme të Sirisë, ku forcat qeveritare, të mbështetura nga aeroplanët luftarakë rusë, i kanë bombarduar pjesët e qytetit verior, Alepo, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Zoti Obama ka thënë se derisa Rusia dhe Irani e mbështetën qeverinë e Sirisë, ishte “shumë vështirë për të parë mënyrën sipas së cilës opozita e moderuar, e trajnuar dhe e përkushtuar, do të mund ta mbante pozicionin e vet”.

Obama, po ashtu, ka insistuar se do të lejojë që presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta paraqes platformën e tij dhe argumentet e tij”, por ka sugjeruar se zëri i tij do të dëgjohet nëse kërcënohen vlerat themelore të Shteteve të Bashkuara.

Obama ka kërkuar që Trumpi të jetë në favor të rendit botëror liberal, dhe ka tërhequr vërejtjen se paqja botërore dhe prosperiteti varen nga kjo.

“Këshilla ime kryesore për presidentin e ardhshëm është se Shtetet e Bashkuara realisht janë shtet i domosdoshëm në rendin tonë botëror”, tha Barack Obama, gjatë një konference për gazetarë, në përfundim të samitit për Bashkëpunim Ekonomik Azi-Paqësor në Peru.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG