Ndërlidhjet

Shqiptarët në Maqedoni të ndikuar nga Tirana dhe Prishtina 


Shqipëria dhe Kosova kanë të drejtë legjitime të kujdesen për të drejtat e shqiptarëve jashtë kufijve, përfshirë edhe ata që jetojnë në Maqedoni, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar vizitat e krerëve të Tiranës dhe Prishtinës në Shkup, si dhe ndarjen e mirënjohjeve të Presidentit të Kosovës për personalitete të caktuara në Maqedoni.

Mersel Bilalli, ish deputet dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fon, thotë se dy shtetet, në vazhdimësi kanë ngritur zërin për shkeljet e të drejtave apo për avancimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, por në momente të caktuara ato kanë pasur edhe preferencat e tyre politike duke favorizuar njërin apo subjektin tjetër politik që sipas tij mund të kenë ndikuar në thellimin e hendekut të ndasive në Maqedoni.

“Duhet të bëhet një dallim, institucionet e këtyre shteteve kanë të drejtë legjitime që të interesohen edhe për pjesën shqiptare që jeton këtu, por jo edhe individë apo udhëheqës të partive politike, e aq më pak individë të prirë nga interesat personale apo diçka që është jashtë ligjore sepse ajo e zhvlerëson inteligjencën e popullatës shqiptare këtu e cila duhet të vlerësojë politikanët e vet vetëm në bazë të meritave dhe jo se dikush tjetër i lavdëron”, thotë Bilalli.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se Shqipëria dhe Kosova në momente duhet të sjellin disa mesazhe ashtu siç kanë bërë edhe më parë duke ndihmuar avancimin e çështjeve shqiptare në Maqedoni

“Ndërsa sa i përket aspektit tjetër, atij për fitimin e pikëve politike mendoj se sikur Tirana ashtu edhe Prishtina duhet të jenë të kujdesshme që të mos ndikojnë në zgjedhje për shkak se e dëmton procesin. Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë të votojnë ashtu siç mendojnë dhe jo t'iu imponohet mendimi se si duhet të votojmë”, thotë Sinani duke shtuar se prioritet i politikës së Kosovës dhe Shqipërisë në raport me Maqedoninë nuk duhet të jetë aktrim i “babait të madh”, por nxitja dhe kultivimi i vlerave si në politikë ashtu edhe në sferat tjera të jetës.

“Nga ky këndvështrim Tirana dhe Prishtina gjithmonë mund të nxisin lëvizje pozitive tek shqiptarët e Maqedonisë. Në këtë drejtim mendoj se edhe tani ato kanë fuqinë, kanë mundësinë që t'i ndihmojnë shqiptarëve të Maqedonisë për të dalë një gjeneratë e njerëzve të rinj që nuk janë të kapur prej shtetit maqedonas”, thotë Sinani.

Gjatë 25 viteve demokraci, raportet mes politikës shqiptare në Maqedoni në raport me ato në Kosovë dhe Shqipëri kanë pasur lëkundje të theksuara që në momente të caktuara kanë ndikuar edhe në procese zgjedhore me favorizimet e caktuara që kanë bërë.

Kjo vërehet nga vizitat dhe pritjet që janë rezervuar për politikanët shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë, por edhe nga përfaqësuesit e tyre në Shkup pasi në disa raste ka pasur edhe përplasje me politikanë të caktuar. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG