Ndërlidhjet

Trump bën thirrje për unitet kombëtar


Donald Trump

Donald Trump

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një adresim për Festën e Falënderimeve, bëri thirrje për unitet kombëtar.

Pas asaj që e quajti fushatë “të gjatë dhe të mavijosur” zgjedhore, Trump tha se emocionet në vend janë të forta.

Ka ardhur koha të nisim të shërojmë ndarjet tona, tha ai, por shtoi se tensionet “nuk shërohen brenda natës”.

Më herët, ai emëroi dy gra në kabinetin e tij, të dyja kritike të tij gjatë fushatës presidenciale.

Në adresimin për Festën e Falënderimeve, Trump tha se SHBA “ka përpara një mundësi për të bërë histori, për të sjellë ndryshime të vërteta në Uashington, siguri të vërtetë në qytete dhe begati të vërtetë për komunitetet”.

Të mërkurën, Trump tha se guvernatorja e Karolinës Jugore, Nikki Haley, është zgjedhur për ambasadore të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, ndërsa Betsy DeVos për sekretare të arsimit.

Emërimet do të duhet të miratohen nga Senati, i cili kontrollohet nga Republikanët.

Trump tha se Nikki Haley do të jetë një udhëheqëse e shkëlqyer, që do ta prezantojë SHBA-në në skenën botërore.

Haley tha se e ka pranuar emërimin. Gjatë fushatës, ajo ka sulmuar fuqishëm propozimin e Trumpit për t’iu ndaluar migrantëve myslimanë hyrjen në SHBA.

Në ndërkohë, epërsia e kandidates demokrate, Hillary Clinton, në votën e popullit në zgjedhjet presidenciale është rritur në dy milionë.

Trump ka fituar zgjedhjet duke fituar shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor, por nga numërimi i votave të popullit që vazhdon ende, edhe dy javë pas zgjedhjeve, ka dalë se Trump ka fituar 62.2 milionë dhe Clinton 64.2 milionë.

Kjo është hera e pestë që fituesi i votës popullore humb zgjedhjet.

Në vitin 2000, epërsia përfundimtare e Al Gores ndaj George W. Bushit, i cili ka fituar zgjedhjet pas një sfide të gjatë ligjore, ka qenë afro 544,000 vota.

Këtë vit, Clinton ka fituar në shtete të mëdha si Kalifornia, por Trump ka fituar shumicën e të ashtuquajturave shtete të lëkundura, që vendosin përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve.

Një grup i akademikëve, avokatëve dhe ekspertëve të të dhënave po bën përpjekje të bindë ekipin e Clintonit që të hetojë rezultatet në tri shtete, për të parë nëse ka pasur ndërhyrje të hakerëve kompjuterikë nga jashtë, të cilët mund të kenë manipuluar rezultatin.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG