Ndërlidhjet

Euro deputetët: Kosova të jap dëshmi konkrete në luftën kundër korrupsionit

  • RFE /RL

Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg

Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg

Komisioni ndër parlamentar i Stabilizim Asociimit i Kosovës me BE-në ka përfunduar takimin në Parlamentin Evropian në Strasburg me miratimin e konkluzave dhe rekomandimeve nga ky takim i parë i kësaj natyre prej kur ka hyrë në fuqi MSA-ja.

Sipas deputetit nga Kroacia Tonino Picula, i cili ishte edhe bashkëkryesues i këtij takimi krahas zëvendës kryetarit të Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, “diskutimet kanë qenë mjaft të hapura, shpesh edhe me tone të ashpra polemizuese”, por në "suaza të cilat janë të kuptueshme dhe të pranueshme për një debat të hapur parlamentar".

“Do të dëshironim që edhe në Kuvendin e Kosovës të ketë debate të tilla dhe që aty të diskutohen mospajtimet mes forcave të ndryshme politike” ka thënë Picula duke shtuar se një prej rekomandimeve të takimit ka qënë edhe ai që 'Kosova të tejkalojë polarizimin politik, të ul tensionet dhe të normalizohet puna në Kuvend'.

Në delegacionin e Kuvendit të Kosovës ka qenë edhe deputeti nga radha e komunitetit serbë Nenad Rashiq.

Në debat, pasi temat kanë qenë edhe ato të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupcionin, ka marrë pjesë edhe ministri i brendshëm, Skender Hyseni. Mësohet se ai ka pasur disa polemika me deputetin nga radhët e Vetvendosjes Visar Ymeri.

Nga ky takim në Parlamentin Evropian është kërkuar që të bëhen hetime profesionale, objektive dhe të pa-anshme për vdekjen në burg të Astrit Deharit dhe, nëse vërtetohet përgjegjësi nga ana e autoriteteve, përgjegjësit të japin përgjigje.

Nga ana e deputetëve të Parlamentit Evropian të cilët kanë marrë pjesë në diskutime janë përsëritur të njëjtat vërejtje dhe shqetësime për Kosovën të cilat i ka përmendur më herët edhe Komisioni Evropian në raportin vjetor të progresit.

Euro deputetët janë të shqetësuar për situatën ekonomike në Kosovë, mungesën e vendeve të punës për të rinjtë, konkurrencën e ulët të ekonomisë dhe politizimin e madh të administratës publike.

Po ashtu edhe deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar që Kosova të jep dëshmi më konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse në këtë drejtim ka shumë pak vendime përfundimtare të gjykatave për rastet të krimeve të organizuara dhe korrupsionit në nivel të lartë.

Tonino Piculla, që është edhe Kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe për Bosnjë e Hercegovinën, ka thënë se edhe Serbisë i është dërguar porosi që të mos pengojë zhvillimet në Kosovë e as integrimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë.(REL)

XS
SM
MD
LG