Ndërlidhjet

Liderët premtojnë se Kosova bëhet me ushtri në vitin 2017


"Forca e Sigurisë së Kosovës është gati të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës", ka thënë të premten, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai i ka uruar pjesëtarët e kësaj force dhe qytetarët e Kosovës, duke thënë se “Forca e Sigurisë së Kosovës është rritur në një forcë të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe ushtritë e vendeve tona mike, nga SHBA-ja e deri te Evropa”.

“Ata janë krenaria jonë, besimi ynë në të ardhmen tonë të sigurt, në paqe e stabilitet. Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë është gati që të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës. Do të jetë kjo një forcë e standardeve më të larta të NATO-s, profesionale, me përfshirje të gjerë të të gjitha komuniteteve dhe gjinive, që do të angazhohet për paqe dhe stabilitet në Kosovë, rajon dhe kudo në botë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka lavdëruar njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë marrë medaljen e artë në manovrat në Britani të Madhe.

Lëvdata për njësitet e FSK-së ka adresuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, i cili marrjen e medaljes së artë në manovrat e Britanisë së Madhe e ka cilësuar si “një e arritur vërtetë e hatashme duke e pasur parasysh që Kosova merrte pjesë për herë të parë në një garë të tillë”.

Lëvdatat e tilla , ambasadori Delawie i ka bërë gjatë vizitës së tij në kazermën e FSK-së në Gjilan, për nder të ditës së kësaj force. Ai ka deklaruar se përparimi në pasqyrimin e përbërjes së shoqërisë në Forcën e Armatosur të Kosovës është inkurajues.

“Më inkurajon përparimi në këtë fushë sa i përket çështjes se larmisë sepse e di që është thelbësore që FSK-ja do të jetë vetëm nëse tërheq talentet nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare, ministri Demolli dhe gjeneral Rama e ndajnë këtë mendim me mua. Më vjen mirë që dëgjoj se FSK po bënë përpjekje që të sjellë sa më shumë anëtarë në radhët e veta nga pakicat që janë më pak të përfaqësuara".

"Mendoj që përbërja e FSK-së duhet të pasqyroj edhe përbërjen e shoqërisë. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që brenda FSK-së të krijohet një mjedis i tillë i cili promovon respektin dhe besim e dy anshëm ndërmjet të gjithë atyre që e bartin uniformën e FSK-së, pa marrë parasysh përkatësinë etnike", ka theksuar Delawie.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forca më e besuar në Kosovë, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e shënimit të Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, kjo forcë do të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës, vitin e ardhshëm.

“Në partneritet edhe me bashkësinë ndërkombëtare do ta kemi transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Kur mendoj këtë, mendoj për çështje muajsh. Po flas për pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Veseli.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, ka thënë se në shënimin e ditës së kësaj force, ajo është afër qytetarëve.

“Ne si ministri e FSK-së, kemi vendosur që Ditën e FSK-së ta festojmë së bashku me qytetarët e Kosovës. Andaj, kemi hapur dyert e të gjitha kazermave tona, në mënyrë që të vijnë e të na vizitojnë të rinjtë, të rriturit, të gjitha grupmoshat e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që për së afërmi t’i shohin disa nga kapacitetet tona, ta shohin personelin tonë dhe të shohin disa nga aktivitetet tona, të cilat i kemi përgatitur enkas për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Demolli.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral lejtënant Rrahman Rama, ka theksuar se FSK ka dëshmuar që është forcë shumë-etnike dhe në shërbim të qytetarëve.

“Kjo ditë është një ditë e hapur që qytetarët e Kosovës t'i shohin kapacitet tona. Ne në këtë vit me mbështetje të të gjithëve kemi dëshmuar se jemi një forcë multi etnike që jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe ne do të vazhdojmë më këtë shërbim. Qëllimi dhe synimi i jonë është që të jemi sa më afër qytetarëve tonë sepse jemi të thirrur për të shërbyer qytetarëve dhe institucioneve tona”, ka thënë gjenerali Rama.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës mbetet peng i ndryshimeve Kushtetuese.

Për ndryshimet e tilla, nevojiten shumica e dyfishtë e votave të deputetëve nga komunitetet pakicë. Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb me 11 deputetë në legjislativ, ka deklaruar se në këtë fazë nuk do t’i votojë këto ndryshime Kushtetuese. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG