Ndërlidhjet

logo-print

Kosovës i hapet edhe një derë në BE

  • RFE /RL

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini (djathtas) dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkëmbejnë dokumentet gjatë takimit të Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel. 25 nëntor 2016.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini (djathtas) dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, shkëmbejnë dokumentet gjatë takimit të Këshillit për Stabilizim-Asociim në Bruksel. 25 nëntor 2016.

Në Bruksel, të premten, është mbajtur takimi i parë i Këshillit për Stabilizim-Asociim midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Me këtë rast është nënshkruar edhe Marrëveshja kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, e cila do t’i ofrojë shtetit mundësi të reja, nga programet hulumtuese deri te shkëmbimi i studentëve.

Takimi është kryesuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Komisionari për politika të zgjerimit, Johannes Hahn, ka përfaqësuar Komisionin Evropian, ndërsa në përbërje të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, kanë qenë edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme, Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, dhe Arsimit.

Në konferencën e përbashkët për media, Mogherini tha se ky është një moment i rëndësishëm, i cili i ka ofruar BE-së të shprehë vendosmërinë e saj në ofrimin e mbështetjes për Kosovën, në rrugën e saj të euro-integrimit.

Mogherini shtoi se rëndësi të njëjtë ka edhe nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së.

“Kjo është një arritje shumë e rëndësishme, që do t’i forcojë lidhjet e shoqërive tona, sidomos kur bëhet fjalë për brezat e rinj. Marrëveshja do t’i mundësojë Kosovës të marrë pjesë në disa programe të BE-së, si: Erasmus, Evropa kreative, Horizont 2020 etj.”, tha Mogherini.

Këshilli i Stabilizim-Asociimit ka përshëndetur përparimin e Kosovës në plotësimin e kushteve për liberalizim të vizave, por BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të intensifikojë punën në ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi dhe të vazhdojë të forcojë efektet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mogherini, në konferencën për media, po ashtu mirëpriti përparimin në dialogun Kosovë-Serbi, të bërë me arritjen e Marrëveshjes për Telekomunikacionin. Ajo i bëri thirrje Kosovës edhe për dialog të brendshëm.

“Dialogu është mënyra me të cilën i afrohemi procesit të normalizimit. Besojmë se dialogu brenda Kosovës, midis partive politike, midis Qeverisë dhe opozitës në Parlament, është diçka e nevojshme”, tha Mogherini.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast, tha se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve. Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për liberalizimin e vizave.

Komisionari Hahn tha se Kosova ka përmbushur 93 nga 95 kushtet për liberalizim vizash, porse ende pritet të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacion dhe të shënojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG