Ndërlidhjet

Sulme ajrore në Sirinë veriperëndimore vrasin 21 persona


Pamje nga sulmet e mëparshme ajrore në krahinën siriane, Idlib
Pamje nga sulmet e mëparshme ajrore në krahinën siriane, Idlib

Së paku 21 persona, përfshirë edhe tre fëmijë janë vrarë më 4 dhetor në një seri sulmesh ajrore në krahinën veriperëndimore siriane të Idlibit, njofton organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Kjo organizatë thotë se sulmet ajrore e kanë goditur qytezën, Maaret al-Numan, ndërsa sulmet duket se janë kryer nga aeroplanët rusë.

Idlibi kryesisht mbahet nën kontroll nga një koalicion i rebelëve që përfshinë edhe grupin ekstremist, Jabhat Fateh al Sham i njohur më parë me emrin Fronti Al Nusra, një degë e Al Kaidës siriane.

Sulmet janë kryer në një kohë kur qeveria ka intensifikuar ofenzivën në zonat që po kontrollohen nga rebelët në Alepo.

Zëdhënësi i ushtrisë siriane i ka thënë Associated Press se ushtria është duke iu ofruar luftetarëve rebelë mundësinë që të largohen nga qyteti lindor, Alepo i rrethuar nga forcat qeveritare.

Samir Suleiman është cituar duke thënë se ata që vendosin të qëndrojnë, e zgjedhin “vdekjen e pashmangshme”.

Suleiman ka thënë se forcat qeveritare dhe grupet aleate kanë rimarrë mbi 50 % të lagjeve në pjesën lindore të Alepos.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë derisa të kthejmë stabilitetin dhe sigurinë në të gjitha lagjet” e Alepos, përfshirë edhe qarkun historik të Alepos së vjetër, ka thënë Suleiman.

Alepo lindore ka qenë i rrethuar nga forcat qeveritare prej muajit korrik, ndërsa zona është përballur me mungesë të ushqimeve, naftës dhe furnizimeve mjekësore.

XS
SM
MD
LG