Ndërlidhjet

Votuesit të lodhur nga mospërmbushja e premtimeve, bojkotojnë zgjedhjet


Ilustrim
Ilustrim

Premtimet e papërmbushura, mungesa e ofertës politike si dhe niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë, besohet se po shkakton si pasojë daljen gjithnjë e më të ulët të votuesve në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit për dallim nga zgjedhjeve e kaluar përqindja e daljes së qytetarëve ka qenë me e ulët.

Analistët politik dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, thonë se arsyet pse qytetarët nuk duan të dalin në zgjedhje janë mos-realizim i premtimeve të politikanëve.

Analisti Driton Selmanaj, konsideron se ka një rënie të trendit për pjesëmarrje në zgjedhje, por sipas tij, edhe lista e votuesve nuk është reale pasi ato nuk janë të përditësuara.

"Është e vërtetë se ka një trend të pakënaqësive të njerëzve në klasën politike dhe mungesës së alternativave për të përfaqësuar ata dhe kanë zgjedhur të heshtin. Kemi parë një fenomen të ri në Drenas që për ne ka qenë rasti i parë ku ka pasur një numër të madh të votave të dëmtuara. Do të thotë njerëzit shprehin revoltën e tyre përmes dëmtimit të fletëvotimeve se nuk shohin alternativë se kush mund t'i përfaqësojë ata", tha Selmanaj.

Mënyra se si kanë udhëhequr partitë politike me vendin, thotë Selmanaj, ka ndikuar dhe mund të ndikojë edhe në të ardhmen që qytetarët të mos kenë interesimin e duhur për të dalë në zgjedhje.

"Mënyra se si kanë udhëhequr me vendin [partitë politike], mënyra se si kanë demoluar pushtetin, mënyra se si kanë abuzuar me paranë publike, mënyra se si kanë mbytur shpresat e njerëzve, atëherë ata duhet ta shohin këtë si element më shqetësues për të rishikuar pozicionin e vet, si programor ashtu edhe të të bërit politikë, për tematikat dhe hallet e njerëzve që jetojnë në Kosovë", tha Selmanaj.

Sipas tij, tani është koha e përshtatshme që në skenë të dalin edhe parti të reja politike me ide dhe vizion ndryshe nga partitë politike që janë aktualisht në Kosovë.

Kurse, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të konsiderohet si një vend në krizë, kur flitet për daljen e ulët në zgjedhje.

Ai thotë se për ta pasur një qartësi të saktë të votueseve në vend, duhet të ketë një përditësim të listave të votuesve.

"Në përgjithësi krahasuar me vendet e rajonit, pra nëse e kemi parasysh gjithmonë parregullsi e listës së votuesve, nuk është se Kosova qëndron më keq se sa trendet në rajon dhe vendet e tjera të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje", tha Krasniqi.

Edhe qytetarët thonë se janë lodhur nga premtimet boshe të partive politike.

Nuhi Muliqi nga fshati Mazgit, Komuna e Obiliqit, thotë se nuk ka besim në asnjë nga partitë politike në Kosovë, andaj edhe nuk sheh ndonjë kandidat a subjekt për të cilin do të votonte.

"Unë edhe për djalin tim më nuk votoj. I ka humbur rendi. Ka humbur besimi. Ka humbur nderi e çfarë shteti është ky. Për kënd të votoj?! -Ka njerëz që nuk kanë bukë për të ngrënë, ka familje që nuk kanë ku të flenë, e këta nga tri e katër rroga i kanë në muaj. Kurse neve na i ndalin edhe ato para që na takojnë", tha Muliqi.

Ndërkaq, Mehmet Berisha nga Komuna e Fushë Kosovës, thotë se do të votonte vetëm nëse vjen një gjeneratë e re e politikanëve.

"A e dini se kur kisha me votu?! - kur të zhduken këta të gjithë dhe të vijnë do të moshës 25 vjeç, se këta janë të krimbur të gjithë dhe vetëm për vete shikojnë", tha Berisha.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas, pjesëmarrja e votuesve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte 40.07 për qind. Në zgjedhjet e fundit lokale dalja ishte 46.31 për qind, kurse në zgjedhjet e përgjithshme, dolën 42. 63 për qind e votuesve. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG