Ndërlidhjet

Rusia kritikon reagimet ndaj sulmit në spitalin e Alepos


Spitali fushor rus që u granatua - Alepo, Siri
Spitali fushor rus që u granatua - Alepo, Siri

Rusia i ka kritikuar “reagimet modeste” të komunitetit ndërkombëtar pasi dy mjeke ruse janë vrarë në një sulm me granatë në një spital fushor në Alepo të Sirisë.

Rusia iu vë fajin rebelëve anti qeveritar për sulmin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka përmendur veçanërisht SHBA-në më 6 dhjetor kur ka thënë se ka bërë reagim të vobektë për “tragjedinë”.

Ministria e mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dy mjeke janë vrarë dhe një tjetër ka pësuar lëndime serioze.

Zëdhënësi i kësaj ministrie ka thënë se sulmi ka qenë i planifikuar, duke aluduar se koordinatat e spitalit fushor janë dhënë tek rebelët nga shtetet e huaja.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner ka thënë se çfarëdo akuze se SHBA-të e kanë bërë këtë janë “tërësisht të pavërteta”.

Televizioni shtetëror rus, RT e ka raportuar reagimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ku thuhet se incidenti tregon që “të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Sirisë po dështojnë të respektojnë dhe mbrojnë punonjësit shëndetësor, pacientët dhe spitalet dhe të bëjnë dallimin në mes tyre dhe objektivave ushtarake”.

Ministria ruse e mbrojtjes përmes një komunikate e ka cilësuar këtë deklaratë “cinike” e cila tregon se organizata në fjalë është “indiferente ndaj vrasjës së mjekeve ruse në Alepo”.

Rusia është duke përkrahur qeverinë siriane edhe ushtarakisht prej nisjes së konfliktit para pesë vjetësh. Sulmet ajrore kundër rebelëve i ka nisur në shtator të vitit 2015.

XS
SM
MD
LG