Ndërlidhjet

Kadirov: Trupat çeçene, të gatshme të luftojnë në Siri


Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadirov
Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadirov

Udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë, Ramzan Kadirov, vlerëson se trupat e vendosur në këtë zonë do të ishin të gatshëm që të luftonin kundër atyre që i ka quajtur “llum” në Siri, nëse këtë e dëshiron presidenti rus, Vladimir Putin.

Kadirov ka reaguar ndaj raportimeve të mediave ruse që thonë se dy batalione të policisë ushtarake nga Çeçenia janë duke u bërë gati të nisen për në Siri, për të mbrojtur bazën ajrore ruse në shtetin e Lindjes së Mesme të shkatërruar nga lufta.

Kadirov nuk i ka konfirmuar këto raportime, por në rrjetin social, Instagram ka shkruar se trupat e stacionuar në Çeçeni, me dëshirë do të shkonin në Siri. Ai ka shtuar se edhe vet me dëshirë do t’i bashkohej luftës kundër “terrorizmit ndërkombëtar”.

“Do të isha i lumtur dhe krenar që menjëherë të nisem për në Siri, të luftojë llumin”, me urdhër të Putinit, ka thënë Kadirov.

Rusia, prej shtatorit të vitit 2015, ka nisur fushatë ajrore në përkrahje të presidentit sirian, Bashar al Assad, duke i ndihmuar forcat e këtij të fundit për të rimarrë territoret e humbura.

Kadirov nuk e ka sqaruar se kujt iu ka referuar si “llum”.

Qeveritë perëndimore thonë se sulmet ajrore ruse kryesisht kanë pasur cak luftëtarët kundër qeverisë e jo militantët e grupit, Shteti Islamik.

Kadirov, të cilin kritikët thonë se rregullisht abuzon me të drejtat e njeriut në rajonin çeçen, kryesisht të banuar nga myslimanët, së fundi i ka thënë televizionit shtetëror rus se ai ka dërguar çeçenë në Siri për tu infiltruar brenda IS-it dhe për të mbledhur informacione.

XS
SM
MD
LG