Qindra burra janë zhdukur, pasi kanë kaluar nga zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo, në territorin e qeverisë, thanë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara.
Forcat e udhëhequra nga Qeveria e Sirisë kanë rikthyer kontrollin në 75 përqind të territorit që kontrollohej nga rebelët.
Dhjetëra-mijëra civilë kanë ikur nga këto qarqe, por mijrëa të tjerë mbeten atje.
Rupert Colville, zëdhënës i Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejta të Njeriut, tha se OKB ka prova se “qindra” burra mund të jenë zhdukur, pasi janë larguar në zonat e qeverisë.
“Marrë parasysh arrestimet arbitrare, torturën dhe zhdukjet që bën Qeveria siriane, jemi thellësisht të shqetësuar me fatin e këtyre individëve”, tha Colville.
Ai shtoi se edhe grupet rebele mund të kryejnë krime lufte duke parandaluar njerëzit të ikin në zona më të sigurta dhe duke i përdorur civilët si pengje.
Alepo është bërë fushëbeteja kryesore në luftën e Sirisë, midis forcave qeveritare dhe kryengritësve rebelë.