Ndërlidhjet

Shpërthime vdekjeprurëse në afërsi të stadiumit të futbollit në Stamboll


Automjetet e shkatërruara pas shpërthimit në afërsi të stadiumit të futbollit në Stamboll, Turqi.
Automjetet e shkatërruara pas shpërthimit në afërsi të stadiumit të futbollit në Stamboll, Turqi.

Nga dy shpërthime në afërsi të stadiumit të futbollit në Stamboll të Turqisë, u vranë të paktën 38 persona dhe u plagosën 166 të tjerë, ka bërë të ditur Qeveria e Turqisë.

Në mesin e viktimave, 30 janë policë, njoftuan autoritetet në Turqi.

Agjencia AP ka raportuar se përgjegjësinë për sulm e ka marrë grupi kurd TAK, me seli në Turqi.

Në një postim në faqen e tij në Internet, ky grup tha se “dy shokë tanë kanë rënë në mënyrë heroike në sulm”.

Fotografitë e publikuara në rrjetin social Instagram treguan helmeta të shpërndara në rrugë dhe makina të dëmtuara.

Shpërthimet e të shtunës, të kryera me makinë bombë, mendohet se kishin për objektiv policinë.

Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar të shtëna armësh dhe makinat e policisë shpejt dolën në vendin e ngjarjes, njoftoi BBC.

Dhjetëra arrestime janë bërë. Turqia ka shpallur ditë zie kombëtare pas shpërthimeve vdekjeprurëse.

Turqia është goditur nga një valë e sulmeve militiante në qytetet më të mëdha me c’rast janë vrarë një numër qytetarësh.

Vala e sulmeve në Turqi këtë vit është kryer nga militantët kurdë dhe grupi ekstremist Shteti Islamik, ka bërë të ditur BBC.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan konfirmoi sulmin por nuk dha hollësi..

"Një sulm terrorist është kryer ndaj forcave tona të sigurisë dhe qytetarëve tanë”, tha ai..

“U kuptua se shpërthimet pas ndeshjes futbollistike Beshiktash-Bursaspor kishin për objektiv që të shtonin viktimat. Si rezultat i sulmeve për fat të keq kemi martirë dhe të plagosur".

Ndërkaq, ministri i trasnportit, ka shkruar në Twitter se ky ishte një “sulm terrorist”.

Sulmi u krye dy orë pas përfundimit të ndeshjes futbollistike ndërmjet Beshiktashit dhe Bursasporit, dy ekipeve më të njohura turke.

Mediat lokale njoftuan se tifozët ishin shpërndarë ndërkohë që ekipi i Bursaporit njoftoi përmes Twitterit se asnjë nga tifozët e tij nuk është lënduar.

Thaçi: Drejtësia do të mbizotërojë

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur shqetësimin e tij për shpërthimet në Stamboll dhe i ka dhënë përkrahjen Turqisë.

“Shumë të shqetësuar për shpërthimet në Stamboll. Kosova qëndron përkrah Turqisë në momente gëzimi dhe në këto momente shqetësuese. Drejtësia do të mbizotërojë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi nëTwitter, i ka dënuar këto akte terroriste, duke i shprehur ngushëllime Qeverisë dhe popullit turk.

“I tronditur nga lajmet për sulmet në Stamboll. Qeveria e Kosovës i dënon këto akte të terrorit. Ngushëllimet tona për Qeverinë dhe popullin turk”, ka shkruar Mustafa.

Ngushëllime qeverisë dhe popullit të Turqisë i kanë shprehur edhe personalitete tjera si: kryetari i Kuvendit të Kosovës, krerë partish politike etj.REL)

XS
SM
MD
LG