Ndërlidhjet

VOX

Qytetarët shpresojnë për një vit më të begatë


Zhvillimi ekonomik, standard më i mirë jetësor, punësimi, stabiliteti politik, si dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet njerëzve, janë ndër pritjet, të cilat disa qytetarë, shqiptarë dhe serbë, shpresojnë të realizohen gjatë vitit 2017.

Hyrie Veliu, qytetare e Prishtinës, thotë se aktualisht, në të gjitha fushat, për të cilat qytetarët e Kosovës kanë interes, janë shënuar ngecje dhe jostabilitet, sidomos në skenën politike. Ajo është skeptike se gjërat mund të ndryshojnë në vitin 2017:

“Realiteti është jashtëzakonisht i hidhur në Kosovë për popullatën e gjerë, qoftë gjendja sociale dhe ekonomike dhe të tjera. Kështu që, nganjëherë po mendoj, çfarë po pres? Nuk e di. Në qoftë se vazhdohet me këtë gjendje politike, ne jemi në një gjendje jashtëzakonisht të keqe”.

Leotrim Namani nga Prishtina, thotë se pret që viti 2017 të jetë më i mbarë për qytetarët e vendit:

“Presim një vit më të mirë, më të mbarë, të ketë zhvillim më shumë dhe të mos ketë varfëri sikur në vitin 2016”.

Xheladin Tafallari, qytetar i Prishtinës, thotë se pret që në vitin 2017 të realizohen kërkesat që qytetarët kanë pasur në vazhdimësi, tash e shumë kohë më parë.

Në përgjithësi, standardi, kushtet e jetës, ato gjërat elementare. Besa edhe stabilizimi politik, ngase jemi lodhur me këto që kemi parë gjatë vitit të kaluar. Unë shumë shpresoj se megjithatë, u ka ardhur fundi të gjithave dhe viti 2017 do të na sjellë sende të mira, gjëra të cilat i kemi pritur dhe i presim”, shprehet Xheladini.

Vehbi Kllokoqi, po ashtu nga Prishtina, vlerëson se në përgjithësi qytetarët nuk duhet të kenë iluzionin se në vitin 2017 mund të ndodhin mrekullitë. Por, sipas tij, të paktën, duhet kërkuar që krerët e vendit të mendojnë më shumë për mirëqenien e qytetarëve.

“Shpresojmë që, të paktën, krerët e shtetit të pajtohen dhe të merren vesh, të bëjnë zgjidhje të reja dhe të ofrojnë mundësi më të mira për punësim. Të fillojnë të mendojnë për ta zhvilluar vendin në aspektin ekonomik. T’i zbatojnë ligjet që janë jashtëzakonisht të mira, që të japim mundësi për investime, por edhe për hapje të vendeve të punës. E vetmja mundësi për t’u zhvilluar vendi dhe për ta pasur një gjendje stabile ekonomike dhe sociale, është mundësia përmes punësimit”, shprehet Vehbiu.

Pritje të ngjashme kanë edhe disa qytetarë serbë.

Verica Stankoviq, qytetare nga Graçanica, thotë se dëshira e saj është që në vitin 2017 të ketë paqe për të gjithë:

“Të kemi shumë shëndet, para, lumturi, paqe në botë dhe te ne, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Presim që marrëdhënie më të mira ndërmjet njerëzve në Kosovë, që përsëri të shoqërohemi, sikur edhe më parë, para luftës, para vitit 1999”.

Zoran Paviq nga Graçanica, thotë se pret që të paktën e drejta fundamentale e njeriut për liri, të respektohet shumë më tepër në vitin 2017 se sa deri më tash.

Shpresojmë dhe jetojmë për një ditë më të mirë. Të ketë më shumë liri, jo vetëm për serbët, por për secilin popull. Të ketë më shumë liri dhe punë”, thekson Paviq.

Milorat Petkoviq, po ashtu nga Graçanica, thotë se në përgjithësi, njerëzit në Kosovë jetojnë në kushte të vështira. Ai shpreson që në vitin 2017, të përmirësohet jeta e të gjithëve në vend:

“Po pres që situata të jetë më e mirë për ne fshatarët. Është kohë e vështirë dhe me varfëri. Vështirë është edhe për shqiptarët, por edhe për serbët. Është vështirë për të gjithë, në përgjithësi. Dashtë Zoti që njerëzit së pari të pajtohen dhe edhe në qoftë se nuk mund të marrin gjithçka që kërkojnë, të paktën, sikur vëllezërit, ta ndajmë bukën, një pjesë ty e një pjesë mua, për aq sa ka. Gëzuar Viti i Ri të gjithëve. Mbase do të bëhet më mirë”.

Qytetarët presin që viti 2017, të jetë më i begatë në të gjitha fushat dhe vlerësojnë se politikanët duhet t’i afrojnë dhe jo t’i ndajnë njerëzit.(REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG