Ndërlidhjet

Qytetet pa infrastrukturë për personat me aftësi të kufizuara


Të jetosh me aftësi të kufizuara është sfidë, por kur mungon infrastruktura e duhur dhe pamundëson lëvizjen e lirë, jeta e kësaj kategorie të shoqërisë bëhet edhe më e vështirë.

Rinor Gashi, 24 vjeçar, është përdorues i karrocës. Ai flet për vështirësitë që përballet çdo ditë, në mungesë të qasjes qoftë në institucione publike, kinema, objektin e pallatit të Rinisë.

"Vështirësitë që unë ballafaqohem në kryeqytet, pra në Prishtinë janë mungesa e trotuareve, mungesa e qasjes së objekteve që janë për destinim publik dhe e bëjnë të vështirë aktivitetin tonë. Ajo me çka duhet ballafaquar është se duhet pasur me vete një person pas vetes që duhet të na ndihmojnë, në mungesë të qasjes fizike .Nuk ka qasje në objektin e Pallatit të Rinisë, në Kinema etj.", ka thënë Gashi.

Por, ai përmend edhe disa lëvizje pozitive që janë bërë ndër vite, për personat që përdorin karrocat.

"Qasja më e lehtë është tek qendra e Prishtinës, dhe objektet e qasshme janë Komuna e Prishtinës, gjithashtu transporti publik së fundmi është rregulluar, ku deri para rregullimit ka qenë shumë vështirë", ka thënë Gashi.

Kosova nuk ka statistika të sakta për personat me aftësi të kufizuara. Por, bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas së cilës, 10 deri në 15 për qind e popullatës në botë jetojnë me aftësi të kufizuara, atëherë del se numri i personave të kësaj kategorie nuk është edhe i vogël.

Afrim Maliqi, drejtues i organizatës joqeveritare “Hendikos”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vështirësitë për personat me aftësi të kufizuar janë të shumta, duke veçuar institucionet shëndetësore si të pa qasshme për këtë kategori të shoqërisë.

"Duke u nisur nga objektet e papërshtatshme, neve na pengojnë të marrin shërbimet e duhura si çdo qytetarë. Shërbimet shëndetësore, sociale, bankare, infrastruktura rrugore e mirëfilltë mungon në shumë vende, dhe pak është punuar".

"Prishtina vitin e fundit e ka rregulluar një pjesë të trotuareve për qasje të personave me aftësi të kufizuara. Edhe ashensori në objektin e Komunës së Prishtinës është lëshuar, dhe ne kemi tashmë qasje deri tek zyra e kryetarit, por që duhet përmendur që ky projekt ka zgjatur 1 vit e gjysmë. Deri atëherë nuk kemi pasur qasje dhe mundësi takimi në zyrë".

Meqë Ligji për personat me aftësi të kufizuar ekziston që nga viti 2007, sipas zotit Maliqi ato çka parashihen me udhëzime administrative nuk janë përmbushur as 5 për qind në total.

"Mund të them se në gjithë Kosovën 5 për qind është përmbushur udhëzimi administrativ i ligjit për persona me aftësi të kufizuara. Objektet institucionale kanë bërë qasje vetëm në qendra të qytetit, por edhe në ato objekte ku janë rregulluar hyrjet, por edhe aty ku ka qasje deri tek ndërtesa mungojnë tualetet e ashensorët specialë. Nuk vendosen mbrojtëse në hyrje, e që janë shumë të rrezikshme pasi dihet se në to duhet kaluar personat me aftësi të kufizuara".

Sido që të jetë, në Qeverinë e Kosovës, në zyrën për qeverisje të mirë, Habit Hajredini ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjendja aktuale e personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi lë për të dëshiruar, ndonëse ndër vite është punuar për këtë kategori të shoqërisë.

"Ne kemi legjislacionin dhe disa udhëzime administrative që i dedikohen qasjes për persona me aftësi të kufizuar dhe këto udhëzime dhe rregullore janë në fuqi, zbatohen me vështirësi. Sidomos qasja në infrastrukturë respektohet pak. Kohëve të fundit ka lëvizje pozitive në disa Komuna, por mbetet sfidë e madhe ende. Ka ende vështirësi, pra edhe ne si Qeveri ende ballafaqohemi me këto vështirësi".

Ndryshe në një nga raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për Kosovën, ndër të tjera është thënë se personat me aftësi të kufizuara përbëjnë shqetësim. (REL)

XS
SM
MD
LG