Ndërlidhjet

Moti i ftohtë me temperaturat që kanë zbritur në mbi minus 24 gradë celcius, ditët e fundit në Kosovë, si dhe numri i madh i të prekurve me gripin sezonal, ka bërë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), të marrë vendim për shtyrjen e fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë, deri me datë 16 janar 2017.

Vendimi për zgjatje të pushimit u morr pavarësisht se autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk kanë shpallur as gjendje epidemie të gripit dhe as gjendje të jashtëzakonshme për shkak të temperaturave ekstremisht të ulëta.

Pak ditë më parë, epidemiologia Ariana Kalaveshi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i tha Radios Evropa e Lirë se komiteti për sëmundje ngjitëse, që vlerëson nëse duhet të shpallet epidemi gripi, nuk e ka parë të nevojshme ta bëjë një gjë të tillë.

Megjithëkëtë sipas shënimeve zyrtare të autoriteteve spitalore vetëm në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raportohet se brenda 24 orëve paraqiten rreth 135 raste të fëmijëve me grip.

Ministria e Arsimit ndërkaq në vendimin e saj thotë se shtyrja e fillimit të gjsymëvjetorit “është bërë me qëllim të evitimit të rreziqeve eventuale si dhe epidemisë së gripit për të cilin MASHT është njoftuar edhe zyrtarisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës”.

Sylë Tahirsylaj, një ekspert në fushën hidrometeorologjike, thotë se “është e mirë që fëmijët të mos i ekspozohen këtyre temperaturave” dhe se një “veprim i këtillë i shtyrjes së fillimit të vitit shkollor është bërë edhe në të kaluarën”.

"Kjo gjendje sinoptike është përsëritur edhe në të kaluarën. Ndër vite temperatura më e ulët është shënuar me minus 32 gradë celcius. Këto janë nën vlera normale. Është mirë që fëmjët të kenë pushim, pasi kah fundi i javës do të ketë ndryshim të temperaturave. Nuk është ndonjë gjendje që nuk është shënuar asnjëherë. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën”, tha ai.

Edhe eksperti i arsimit, Fevzi Berisha, thotë se shtyerja e procesit mësimor e bërë për tërë territorin e Kosovës,është një vendim i drejtë. Sipas tij, orët e humbura mësimore do të kompenzohen dhe nuk do të jetë pengesë e procesit të rregullt të planprogramit mësimor.

"Duke marrë parasysh se duhet të ketë sistem të unifikuar të arsimit dhe në disa vende ka mundësi me u mbajt mësimi, por në disa tjera jo, atëherë është vendim i drejt shtyerja për një javë dhe nuk do të ketë humbje, pasi do të organziohet orari i paraparë me plotësim të këtyre orëve. Më mirë është të jetë unifikues sesa në disa vende të mbahet mësimi e në tjera jo".

Temperaturat e ulëta, ajri i ndotur dhe mbi të gjtiha gjendja e rënduar e shëndetit me shtrirjen e gripit në Kosovë e kanë vështirësuar edhe jetën e qytetarëve.

Mësohet se edhe një numër i institucioneve arsimore të nivelit të lartë kanë marrë vendimin për vazhdimin e pushimit dhe rifillimin e mësimit prej javës së ardhshme, kur temperaturat të jënë ngritur sado pak. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG