Ndërlidhjet

Protesta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për lirimin e Ramush Haradinajt


Kosova proteston për lirimin e Haradinajt
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Protesta për lirimin e Haradinajt

Nën organizimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në disa qytete, përfshirë, Gjilanin, Mitrovicën Ferizajn, Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin janë zhvilluar protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Protestat u organizuan me moton: “Haradinaj është Kosovë” dhe “Kriminelët kërkoni në Serbi”.

Protesta në ngjashme janë mbajtur edhe në Tiranë dhe Shkup. Kurse javën e kaluar një e tillë është organizuar në Prishtinë.

Në protestën e organizuar në Prizren, kryetari i degës së AAK-së, Lulëzim Kabashi tha se Serbia po përpiqet që të paraqes vetën nga agresori në viktime të luftës së fundit, çka sipas tij, u dëshmia edhe me rastin e fletë-arrestit dhe ndalimit të Haradinajt nga autoritetet franceze.

“Kjo ndalesë e ish-komandantit të UÇK-së, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ishte e rastësishme, ishte kryekëput politike për të fyer një njeri i cili i doli në ballë një procesi të dëmshëm siç ishte rasti me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, një njeriu i cili i dha grushtin vendimtar marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Kabashi.

Protesta në Mitrovicë
Protesta në Mitrovicë

Protestat u organizuan 5 minuta para orës 12:00. Një e ngjashme u organizua edhe në Tiranë me kërkesën e njëjtë për lirimin e Haradinajt.

Ramush Haradinajt, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë në Serbi ia ka dorëzuar të martën organeve të drejtësisë në Francë kërkesën për ekstradim të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me kërkesën për ekstradim organeve franceze të drejtësisë I është dorëzuar edhe dokumentacioni përcjellës i përkthyer në gjuhën frënge në bazë të të cilit “drejtësia franceze do të vendos nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat për ekstradim të Haradinajt në Serbi”.

Në anën tjetër, pala mbrojtëse e Haradinajt ka kërkuar lirimin me kusht të tij, deri në përfundimin e procedurave.

Pritet që Haradinaj të paraqitet të enjten para gjykatës ku do të shqyrtohet lënda ndaj tij.

Po për rastin Haradinaj, ka debatuar edhe Kuvendi i Kosovës, por për shkak të mospajtimeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës rreth dy pikave, ka dështuar miratimi i një rezolute, me të cilën ligjvënësit e Kosovës do të kërkonin lirimin e Haradinajt nga paraburgimi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar arrestimin e Haradinajt “të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe u ka kërkuar autoriteteve franceze lirimin e menjëhershëm.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhër-arrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi.

Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

(REL)

XS
SM
MD
LG