Ndërlidhjet

MSA nuk po tregon efekte pa liberalizimin e vizave


Marrëveshja për Stabilizim Asocim (MSA), e cila filloi të zbatohet në Kosovë në muajin prill të vitit të kaluar nuk ka dhënë efektet e pritura, thonë përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e bizneseve dhe afaristë në vend.

MSA i hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, por që kjo sipas përfaqësuesve të biznese nuk po arrin të realizohet.

Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, në një prononcim për Radion Evropa thotë se MSA nuk po arrin të ketë zbatim të mirëfilltë dhe efekte pozitive, për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave.

“Është një shqetësim i madh, pasi që kemi biznese të cilat kanë arritur nivelet shumë të përparuara të avancimit të produkteve të tyre dhe kontakti me bizneset në Gjermani nuk po arrin të behet për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave”, thekson Hoxha.

Në këto kushte në të cilat veprojnë bizneset në Kosovë, thekson Hoxha e kanë shumë të vështirë depërtimin në vendet e Bashkimit Evropian.

Pavarësisht hyrjes së MSA-së në fuqi, pronarë të bizneseve në Kosovë në mungesë të lëvizjes së lirë në shumë raste nuk arrijnë të krijojnë kontakte me partnerët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian.

“MSA është një shansë e mirë për bizneset tona që të zhvillohen ato në mënyrë të pavarura , pavarësisht nga politikat e mëdha që bizneset nuk arrijnë t’i ndryshojnë, përmes MSA-së ne kemi mundësi të krijojmë vlera shtesë për shoqërinë tona. MSA është tepër e rëndësishme për zhvillimin dhe perspektivën tonë”, thekson Hoxha.

Me zbatimin e MSA-së, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do t’i investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro.

Nga kjo, është thënë se do të përfitojnë edhe prodhuesit, për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese. Por, që sipas pronarëve të bizneseve, kapacitetet e tyre prodhuese nuk mund të zgjerohen derisa nuk arrihet të udhëtohet pa viza në vendet e BE-së.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raste të shumta nuk kanë arritur të krijojnë kontakte me bizneset e vendeve të BE-së,për shkak të mungesës së vizave.

“Mos liberalizimi i vizave është pengesë për një kompani e cila është e fokusuar në eksport, siç jemi ne si kompani. Ne mbi 40 për qind të bruto prodhimit e dedikojmë për tregun e jashtëm dhe atë kryesisht në BE dhe mos liberalizimi i vizave e vështirëson mënyrën e komunikimit dhe lëvizjes së lirë të punonjësve të kompanisë sonë”, thotë Palushi.

Ai thekson se për tu pajisur me një vizë, presin shumë gjatë dhe po ashtu kërkohen dokumente të shumta gjë që iu shkakton atyre humbjen e shumë partnerëve të mundshëm.

“Ajo çka nuk është në rregull ne si biznese para ambasadave trajtohemi njëjtë si të gjithë qytetarët dhe kërkohet aq shumë dokumentacion sa që në disa raste e bënë të pamundur pajisjen e punonjësve tanë me viza. Ka pasur raste kur një punonjësi të kompanisë sonë i është dhënë viza vetëm për pesë ditë dhe ai është dashur të lënë në gjysmë një panair që po mbahej dhe të kthehet në Kosovë”, thekson Palushi.

Liberalizimi i vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit.

Kosova, aktualisht, radhitet e fundit në këtë proces, krahasuar me vendet e tjera që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, andaj edhe konsiderohet si vendi më i izoluar në Evropë. (REL)

XS
SM
MD
LG