Ndërlidhjet

Qeveria shqyrton pozicion të ri në dialogun me Serbinë


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se do të rishikojnë dialogun me Serbinë në disa aspekte.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se sjellja e Qeverisë së Serbisë në raport me dialogun dhe me qasjen e përgjithshme që synon normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, kanë qenë destruktive dhe ato po vazhdojnë të jenë të tilla.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se sjelljet destruktive të Serbisë janë strategji e konsoliduar mirë e qeverisë së këtij shteti.

Përballë kësaj situate, sipas tij, pavarësisht që Qeveria e Kosovës i është qasur seriozisht normalizimit të marrëdhënieve me shtetin serb, ajo është e shtrënguar që të reagojë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e shtrënguar që të rishikojë disa aspekte lidhur me dialogun me Serbinë, sepse esenca e dialogut është që të zbatohen marrëveshjet. Natyrisht, çdo vendim, Qeveria e Republikës së Kosovës, në këtë drejtim, do ta marrë duke pasur në konsiderim interesin më të lartë dhe interesat nacionale të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Murtezaj.

Zëvendësministri Murtezaj ka shtuar se zyrtarët e Qeverisë së Serbisë tashmë e kanë bërë të qartë se nuk iu ngutet për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën dhe sipas tij, në këtë kuptim, ata shpeshherë i kanë bërë presion edhe Bashkimit Evropian.

“Pala serbe nuk është fare e interesuar. Përkundrazi, është duke e sabotuar procesin e normalizimit, në mënyra nga më të ndryshmet”.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi, njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia tashmë e ka ndërtuar një strategji për neglizhimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në kuadër të dialogut me Kosovën.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë po luan, siç shprehet ai, me dy letra, në raport me Bashkimin Evropian.

“Thjeshtë, kjo është për ta shantazhuar Bashkimin Evropian, kinse ajo ka përpara dy zgjedhje, do të thotë, kah Rusia apo kah Bashkimi Evropian. Në këtë situatë, duke ia vënë përpara shumë sfida Kosovës dhe duke e neglizhuar zbatimin e marrëveshjeve, Serbia po synon që të përfitojë sa më shumë nga dialogu me Kosovën, përballë integrimeve në Bashkimin Evropian”.

Kohët e fundit, e sidomos pas ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë në Interpol, janë shtuar zërat nga shoqëria civile, e sidomos nga partitë opozitare në Kosovë, që dialogu me Serbinë të ndërpritet.

Qeveria e Kosovës nuk ka shprehur ndonjë qëndrim se një gjë e tillë mund të ndodhë, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë një rezolutë me kërkesën për lirimin e Haradinajt, mu për shkakun se një nga pikat e rezolutës rekomandonte ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

Analisti Matoshi, gjithashtu shpreh mendimin se ky dialog nuk duhet të ndërpritet.

“Qeveria e Kosovës duhet sërish ta mendojë dhe ndoshta edhe ta riformatojë dialogun me Serbinë, por në këtë rast, kurrsesi nuk vjen në shprehje ndërprerja e bisedimeve, siç po kërkohet. Bisedimet me Serbinë, për Kosovën, në këto momente politike, janë interes nacional i saj dhe duhet që në raport me Serbinë të ndërtohet një strategji afatmesme, ndoshta për 5 vjetët e ardhshëm, se si duhet të përballohen ofensivat diplomatike që i ka ndërmarrë Serbia, sidomos në këto 2 vjetët e fundit”.

Matoshi ka shtuar se Kosova duhet të shtojë më shumë çështje dhe dilema në agjendën e bisedimeve dhe në agjendë të mos jenë gjithmonë vetëm kërkesat e Serbisë për serbët e Kosovës, si dhe raportet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. (REL)

XS
SM
MD
LG