Ndërlidhjet

Lavrov shpreson që SHBA-ja do të dërgojë ekspertë në bisedimet për Sirinë 


Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia shpreson që administrata e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, do të dërgojë ekspertë të Lindjes së Mesme për bisedimet rreth Sirisë, që pritet të fillojnë më 23 janar në Astana të Kazakistanit.

“Ne shpresojmë që administrata e Donald Trumpit do të ketë mundësi të dërgojë ekspertë të Lindjes së Mesme, duke e pasur parasysh faktin se Rusia dhe SHBA-ja bashkëudhëheqin Grupin Ndërkombëtar për Përkrahje ndaj Sirisë”, ka thënë Lavrov gjatë një konference me gazetarë me ministrin e Jashtëm të Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov.

Më 19 janar, Uashingtoni e ka konfirmuar se e ka marrë ftesën për të marrë pjesë në bisedimet për Sirinë në Astana.

Por, Ambasada Amerikane në Kazakistan, më 20 janar ka thënë se nuk mund të konfirmojë nëse administrata e Trumpit do të dërgojë dikë në këto bisedime.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka shprehur përkrahje për bisedimet për paqe në Siri, të organizuara nga Rusia, Turqia dhe Irani, por ka theksuar se këto negociata nuk duhet t'i anashkalojnë negociatat që po udhëhiqen nga OKB-ja.

OKB-ja do ta dërgojë ndërmjetësin e saj për Sirinë, Staffan de Mistura.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është takuar me dyer të mbyllura më 20 janar për të diskutuar këtë iniciativë.

Fuqitë perëndimore për javë të tëra e kanë vënë në pikëpyetje qëllimin e bisedimeve në Astana, duke ngritur shqetësimin se ato mund të hapin një rrugë tërësisht të re të negociatave për t’i dhënë fund luftës gati gjashtë vjeçare në Siri.

XS
SM
MD
LG