Ndërlidhjet

Burgjet e Kosovës kanë avancuar sa i përket respektimit të të drejtave të burgosurve dhe infrastrukturës, por ka ende shkelje, thonë përfaqësues të organizatave që bëjnë monitorimin e gjendjes në sistemin korrektues të Kosovës dhe qendrat e ndalimit apo stacionet policore.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, konsideron se në burgjet e Kosovës ka ende çështje që duhet të trajtohen dhe, siç thotë ajo, 'ka zbrazëti në kuptimin e realizimin e të drejtave të plota'.

"Zbrazëti ka në programet e risocializimit, ato të rehabilitimit, programet e fuqizimit ekonomik apo njësinë ekonomike, e cila ende nuk është duke funksionuar ligjërisht. Pastaj, procesi i ankimimit të brendshëm që po ashtu është një çështje që duhet të trajtohet”.

“Raste ka edhe kur kemi ndonjë incident fizik. Sipas të burgosurve që deklarohen, ka edhe dhunë fizike në momente të caktuara, mirëpo janë raste të izoluara dhe nuk janë dukuri të sistemit. Përtej kësaj ka edhe ankesa të shumta në shërbimet shëndetësore, edhe pse janë avancuar. Pra, ka ende hapësirë për përmirësim", thotë Rushiti.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, bashkërisht edhe me organizata të tjera monitorojnë sistemin korrektues të Kosovës, po ashtu edhe qendrat e ndalimit apo stacionet policore.

Rushiti thotë se shkelje të të drejtave të njeriut kanë po ashtu edhe me rastin e kategorizimit të burgosurve dhe transferimin e shpeshtë të tyre nga një burg në tjetrin.

"Transferimi ka paraqitur pasiguri te të burgosurit. Janë paraqitur probleme në vizitat familjare, pastaj kjo ka qenë problem edhe për mirëqenien fizike dhe shëndetësore. Përtej kësaj, si masë disiplinore ka qenë shqetësim edhe përdorimi i izolimit, i cili kohë pas kohe është përdorur apo them se është përdorur në një masë më të rritur", shton ajo.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, Behxhet Shala, konsideron se siguria në Shërbimin Korrektues është në një nivel më të mirë se vendet e rajonit.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se shkeljet janë evidente por, nuk janë të mëdha.

"Ka shkelje dhe varet shumë se sa zbatohen ligjet për këtë kategori, e cila ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe pastaj nëse kemi parasysh se çfarë shëndetësie publike kemi jashtë, atëherë brenda në burg (nuk pritet) të jetë shëndetësia më e mirë. Problemi është te shëndetësia, sepse mjekët nuk shkojnë të punojnë në burgje”.

“Ka shkelje, realisht gjatë vitit kemi disa raste që paraqiten se ndaj të burgosurve është ushtruar forcë apo përdorimi i dhunës fizike, ndërsa në shtetet tjera ka shumë më tepër raste", thotë Shala.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë partnerët e Drejtësisë dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet në Kosovë, thuhet se korrekton dhe risocializon të burgosurit, duke respektuar të drejtat e tyre fundamentale, pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin. Zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë- përkatësisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, thonë për Radion Evropa e Lirë se në burgjet e Kosovës nuk ka shkelje të të drejtave të burgosurve.

"Nga vetë përgjigja e OJQ-ve, por edhe nga monitorimi i vazhduar edhe nga organizatat e tjera që kanë qasje në Institucionet Korrektuese, raportet e tyre tregojnë se shkelje të të drejtave të njeriut mund të themi se nuk ka. Kemi legjislacionin në fuqi që e zbatojmë në praktikë, por pa lënë anash instrumentet ndërkombëtare që lidhen me këtë kategori", thuhet në një përgjigje me shkrim nga Shërbimi Korrektues i Kosovës[MD]".

Sipas zyrtarëve nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, 1712 persona janë aktualisht të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës administron me qendra korrektuese, si dhe qendrat e paraburgimit në Prizren, Prishtinë, Gjilan, Pejë dhe Mitrovicë, Lipjan, po ashtu edhe me Burgun e sigurisë së lartë.(REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG