Ndërlidhjet

Rekrutimi i qytetarëve të Kosovës për ekstremizëm bëhet në banesa private


Ilustrim
Ilustrim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në raportin e fundit të publikuar, konstaton se përhapja e ideologjive ekstremiste dhe rekrutimi i qytetarëve të Kosovës për ekstremizëm apo terrorizëm po bëhet në banesa private dhe jo në xhami.

Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës ndërkaq thonë se “hapësira për ta është ngushtuar” dhe vlerësojnë se “për terrorizëm islam flasin njerëz që nuk janë kompetent apo që nuk kanë njohuri fetare”.

Raporti i QKSS i titulluar, “Matja e gjendjes aktuale të përfshirjes së komunitetit dhe institucioneve në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë”, vë në pah se 70 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë që ekstremizmi i dhunshëm është kërcënim i madh i sigurisë nacionale.

Skender Perteshi hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se rekrutimi i qytetarëve me ideologji ekstremiste që shpie në terrorizëm bëhet në mënyrë shumë strikte në ndeja private.

“Xhamia nuk është vend ku rekrutohen njerëzit për ekstremizëm apo terrorizëm, janë ndejat private ose banesat private ku në grupe shumë të vogla, diskutohen këto fenomene dhe aty bëhet rekrutimi”.

“Po të ishte problemi që brenda xhamive të bëhet rekrutimi ose zhvillimi i idesë së ekstremizmit të dhunshëm, besoj që shumë lehtë mund të zgjidhet problemi dhe mund të evidentohet shkaktarët, por aty nuk zhvillohen këto fenomene, por në banesa private, ku madje as telefonat nuk i marrin me vete”, thekson ai.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa përket përhapjes së ideologjive ekstremiste nëpër banesa private Policia e Kosovës ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme.

“Policia e Kosovës i trajton të gjitha informacionet që ndërlidhen me elemente të veprave të ndryshme penale të çfarëdo natyre qofshin ato dhe ndërmerr masat e nevojshme ligjore. Ndërsa sa i përket përhapjes së ideologjive ekstremiste nëpër shtëpi, xhami ose mesxhideve, ju njoftojmë që Policia e Kosovës, sipas autorizimeve të saja ligjore ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar apo për të reaguar në rastet kur ekziston dyshimi i bazuar se mund të kryhet apo është kryer ndonjë vepër e caktuar penale”, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës, ka shtuar Hoxha, ka treguar rezultate pozitive si në parandalim po ashtu edhe në arrestim të personave të dyshuar të përfshira në vepra të tilla penale.

Ndërkohë, raporti i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ka vënë në pah po ashtu se Kosova ka miratuar një kornizë solide të politikave në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, megjithatë, zbatimi vazhdon të sfidohet nga kapacitete të kufizuara dhe mungesa e angazhimit të komuniteteve.

Sipas Florian Qehajës, drejtor ekzekutiv në QKSS, në përgjithësi ekziston njohuri e kufizuar lidhur me ekstremizmin e dhunshëm tek institucionet, sidomos tek ato të nivelit lokal.

Derisa, qytetarët thuhet se vazhdojnë të jenë konfuz se si duhet trajtuar ekstremizmi fetar si një formë e re e ekstremizmit të dhunshëm .

“Koordinimi ndër institucional në luftën e ekstremizmit të dhunshëm është i kufizuar, përfshirja e shoqërisë civile është e vogël, roli i Bashkësisë Islame të Kosovës vazhdon të nënvlerësohet. Po ashtu, mungesa e mundësive dhe niveli i lartë i papunësisë kanë krijuar një konsekuencë të pamenduar, ku të rinjtë janë rekrutuar me ideologji ekstreme dhe përfshirje në konflikte të huaja në Siri dhe Irak”, thekson Qehaja.

Ndërkohë, sistemi i dobët i arsimit dhe mungesa e aktiviteteve arsimore, thuhet se kanë krijuar mundësinë ideale që rekrutuesit ta arrijnë agjendat e tyre.

“Rreth 40 për qind e aktiviteteve që dalin nga strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm i takojnë Ministrisë së Arsimit, por që në vitin 2016 nuk i është nda asnjë mjet financiar shtesë për të zbatuar strategjinë”, thuhet në raportin e QKSS.

Komuna e Hani i Elezit, Kaçaniku dhe Gjilani thuhet se janë komunat më shumë të afektuar nga fenomeni i përhapjes së ideologjisë ekstremiste që shpie në terrorizëm.

Për këto komuna QKSS i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të rrisë mbështetjen financiare.

Nusret Shiti imam nga Hani i Elezit, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se një prej vendeve ku më së shumti mund të luftohet ekstremizmi i dhunshëm është nëpër shkolla me futjen e mësim besimit fetar.

“Sa i përket luftimit të terrorizmit, nga ana jonë si BIK, kërkohet shumë mirëpo hapësira jepet pak. Nganjëherë kur flitet për terrorizëm islam flasin njerëz që nuk janë kompetent apo që nuk kanë njohuri fetare shumë. Të flet dikush që nuk ka njohuri rreth islamit është një hap i gabuar pasi që tek të tjerët nuk je i pranuar, pasi që nuk je kompetent”, thekson Shiti.

Që nga rasti i parë i shkuarjes së shqiptarëve të Kosovës në luftën në Siri dhe Irak, në vitin 2012, deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë.

Për disa prej personave të kthyer, Polica e Kosovës ka hapur hetime, disa janë arrestuar, derisa janë dënuar mbi 35 prej tyre.

Autoritetet në Kosovë vlerësojnë se kanë shënuar përparime të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar.

XS
SM
MD
LG