Ndërlidhjet

Kosova pa rrymë në nëntëvjetorin e pavarësisë


Qazim Morina rreth të 60-tave, nga qyteti i Prizrenit, asnjëherë nuk ka menduar se edhe nëntë vjet pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës, do të përballet më mungesë të energjisë elektrike.

Morina, para 11 vitesh është kthyer nga shteti i Gjermanisë, dhe ka investuar në një biznes në qytetin e tij, por thotë se veprimtarinë po ia vështirëson jostabiliteti me energji elektrike.

“Energjia është problemi numër një, uji po ashtu. Vetëm unë e di qysh ia dal. Mbi 10 mijë euro është dashur të investojë në një trafo të energjisë elektrike, për ta zgjidhur problemin. Ka momente kur e pyes vetën a jam banor i këtij vendi. Kurrë nuk kam besuar se pas pavarësisë do të ketë krizë për mirëqenie sociale. Turpi më i madh sot në Kosovë është kriza ekonomike”, ka thënë Morina.

Jostabiliteti energjetik, probleme sidomos për të studiuar, po i shkakton edhe Filize Haxhanit, nga qyteti i Mitrovicës, që është duke magjistruar në Fakultetin e Ekonomik.

“Kjo gjendje është shumë keq. Qe nëntë vite pas përfundimit të luftës, nuk ka pas mundësi që të stabilizohet energjia elektrike. Mua më ka ndodh shpesh herë, që për shkak të mungesës së energjisë kam mësuar me dritën e qiririt”, thotë Haxhani.

Pasiguria e furnizimit me energji elektrike është një nga problemet që Kosova ka trashëguar prej periudhës së pasluftës, kur reduktimet në qytete e në veçanti në fshatra kalonin mbi 10 orë pa drita.

Megjithëkëtë në vitet e fundit vlerësohet të ketë një përmirësim, në kryeqytet, por në viset rurale jo rrallë herë ankohen për këtë problem.

Vjetërsia e termocentraleve vazhdimisht është përmendur si arsye kryesore e mungesës se këtij produkti që prodhohet nga Korporata Energjetike e Kosovës, kurse që nga viti 2013 shpërndarja realizohet nga konsorciumi turko –amerikan ‘Çalik – Limak” i cili e ka blerë këtë distribucion.

Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, ka përmendur disa nga faktorët që ndikojnë në mos stabilitet të energjisë elektrike.

“Kërkesa është më e larta se sa mundësia e prodhimit. Pastaj Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, nuk është i pavarura dhe e fundit është vjetërsia e termocentraleve. Zgjidhja e të gjithë këtyre është ndërtimi sa më parë i i kapaciteteve të reja”, ka thënë Gjuka.

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit më Energji Elektrike, KEDS, Viktor Buzhala, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se problemi i mungesës së energjisë elektrike nuk i takon vetëm KEDS-it.

Ai thotë se në mungesë të prodhimit të energjisë shumë herë, kjo kompani detyrohet të importojë energji elektrike nga vende të ndryshme të rajonit.

“Ne vazhdimisht kemi siguruar import, në çdo reduktim të prodhimit. Kur kërkesa është më e madhe se sa prodhimi, në kohën më të shkurtër të mundshme".

"Mirëpo në shumicën e rasteve është vështirë të gjendet importi. Edhe kur sigurohet importi nevojiten katër orë deri sa të vijë energjia elektrike për shkak të procedurave ndërkombëtare. KEDS- ka bërë investime mbi 80 milion euro, për të përmirësuar furnizimin më energji elektrike për qindra lokalitete”.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se menaxhimi jo i mirë dhe politikat e hartuara në mënyrë të gabuar për sektorin energjetik ka shkaktuar furnizim jo stabil më energji.

Visar Azemi, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji, për Radion Evropa e Lirë, thotë se investimet milionëshe që janë bërë në KEK, nuk janë realizuar në sektorët e duhur.

“Ne asnjëherë nuk jemi marrë me problemin se si të ulim konsumin e energjisë elektrike, për të investuar në efiçiencë të energjisë. Por, gjithmonë investimet kanë shkuar më planifikim ad hoc, duke mos pasur strategji të mirëfilltë dhe vizion afat gjatë të sektorit energjetik në Kosovë“.

Sidoqoftë, mbi 400 milionë euro llogariten investimet që janë realizuar që nga viti 2003 në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, edhe pse përfaqësues shoqërisë civile, konsiderojnë se kjo vlerë është shumë më e lartë. Ndërkohë që nuk dihet se sa është vlera e donacioneve.

Ndërtimi i një termocentrali të ri, që thuhet se do të stabilizojë gjendjen me energjinë elektrike, përgatitjet për të cilin kanë filluar më shumë se një dekadë, pritet që të fillojë gjatë muajve të ardhshëm. Por, nuk dihet nëse deri në përfundim të tij gjendja do të ketë ndryshime. (REL)

XS
SM
MD
LG