Ndërlidhjet

Kongresistët amerikan në Prishtinë, interesohen për demarkacionin dhe dialogun


Kryeministri Isa Mustafa pret kongresistët amerikan
Kryeministri Isa Mustafa pret kongresistët amerikan

Një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve, repoblikanë dhe demokratë,po qëndron në Kosovë. Në ditën e parë të vizitës, ky delegacion i kryesuar nga kongresisti Peter Roskam, ku ishin të pranishëm edhe kongresistët, David Price, Adrian Smith dhe Gerry Connolly, ka zhvilluar takim me kryeministrin Isa Mustafa. Kurse të dielën do të zhvilloj takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryeministri Mustafa ka thënë pas takimit me përfaqësuesit amerikan se tëarriturat e popullit të Kosovës janë rezultat i përkrahjes së pazëvendësueshme të SHBA-ve.

Delegacioni dypartiak nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve përbëhet nga 20 anëtarë që punon drejtpërdrejtë me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve legjislative efikase, të pavarura dhe reaguese.

Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar gjerësisht për të arriturat e deritashme të Kosovë si dhe për prioritetet e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, integrimet euroatlantike si dhe avancimin e sistemit arsimor dhe shërbimeve shëndetësore.

Kryeministri Mustafa, sipas një komunikate për media, i njoftoi kongresistët amerikanë edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, që lidhen me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përmbushjen e marrëveshjeve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me praninë e SHBA-së që po zhvillohet në Bruksel, raportet politike në Kosovë, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Kongresistët Peter Roskam, David Price, Adrian Smith dhe Gerry Connolly, pasi vlerësuan të arriturat në Kosovë, vijon komunikata, u interesuan për zhvillimet e ndryshme që lidhen me jetën parlamentare, zhvillimin ekonomik, luftën kundër dukurive negative siç janë radikalizmi dhe terrorizmi dhe çështje të tjera.

Kongresisti Peter Roskam, citohet të ketë ritheksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën, duke u shprehur i impresionuar me progresin e deritashëm të Kosovës duke pas parasysh se ku ka qenë para pak vitesh dhe ku ka arritur tani.

Ai inkurajoi Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë përkushtimin e saj që hap pas hapi të avancohet zhvillimi i gjithanshëm dhe që Kosova të vazhdojë të jetë faktor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Kryeministri Isa Mustafa me këtë rast theksoi se të gjitha të arriturat në Kosovë janë rezultat i përkushtimit të qytetarëve të Kosovës dhe përkrahjes së pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

“Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e të gjitha aspekteve të zhvillimit dhe që në partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të të realizojmë synimet e qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Delegacioni do të takohet të dielën me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, anëtarë të shumtë të Kuvendit dhe shoqërisë civile, si dhe do të vizitojë pjesëtarët e ushtrisë së SHBA-ve me shërbim në Kosovë.

XS
SM
MD
LG