Ndërlidhjet

Pse po tregohet i pafuqishëm Kuvendi i Kosovës?


Kuvendi i Kosovës, 9 vjet pas
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:48 0:00

Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi

Vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës është sfiduar seriozisht këto dy vitet e fundit. Kuvendi po përballet me mungesën e votave për marrjen e vendimeve për disa çështje të proklamuara si prioritete politike në nivel të Kosovës, siç është Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ndërlidhet me liberalizimin e vizave apo edhe me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Përderisa demarkacioni me Malin e Zi mbetet peng i mosmarrëveshjeve politike, jo vetëm ndërmjet forcave politike në pushtet dhe opozitë, por edhe ndërmjet vet partive në pushtet, çështja e ushtrisë së Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë dhe përfshirje të përfaqësuesve serb në vendimmarrje.

Kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-kryetari i këtij institucioni, Jakup Krasniqi ndajnë mendime të ndryshme pse legjislativi i tashëm po tregohet kaq i pafuqishëm në vendimmarrje.

Për kryekuvendarin Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, problemet burojnë te mungesa e një transformimi ekonomik, çka sipas tij do të ndikonte që politikanët dhe partitë politike të merreshin më shumë me çështjet zhvillimore të vendit dhe jo me politika të thata dhe arkaike.

Te çështja e demarkacionit, Veseli thotë se faji mbetet te pala kosovare që nuk ka arritur ta ratifikojë ende marrëveshjen me Malin e Zi.

“Demarkacioni duhet të përmbyllet, ngase kemi të bëjmë me një shtet fqinj i cili ka luajtur një rol pozitiv historik dhe aktual. Është çështje më shumë e egove dhe vonesave që vijnë më tepër për fajin e Kosovës”.

“Por, edhe ushtria e Kosovës edhe demarkacioni kalojnë kur kemi një shtet i cili ka institucione që e bazojnë funksionimin e tyre në shtetin ligjor, dhe të njëjtën kohë ka prioritet zhvillimin ekonomik, për arsye se këto ndërlidhen”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tani Kryetar i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma, thotë se rezultatet që po tregohen në legjislaturën aktuale, dëshmojnë për një joefikasitet që nuk është parë deri më tani në historinë e institucioneve dhe të shtetit të Kosovës.

“Problemet që janë krijuar nga koalicioni qeverisës dhe Qeveria, më pastaj janë bartur në Kuvend dhe në këtë legjislaturë, mund të them që Kuvendi, edhe pse numerikisht koalicioni ka më shumë se dy të tretat e deputetëve, vendimmarrja ka qenë ndër më të dobëtat dhe më të papërgjegjshmet në historinë e funksionimit të Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Puna e Kuvendit, monitorohet nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky Institut e ka vlerësuar si shumë të dobët punën e këtij institucioni dhe në shpërputhje me përgjegjësitë që ka për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe çështjet tjera.

Albert Krasniqi nga ky institut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kuvendi u tregua i dobët, gjë që sipas tij, detyrimisht çon në konkludimin se ky legjislativ është jofunksional për të marrë vendime, si dhe i paaftë politikisht për të përmbushur mandatin e vet.

Instituti Demokratik i Kosovës ka konstatuar se Kuvendi është ballafaquar me mungesa të shpeshta të kuorumit, si në seanca ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve.

Shumica parlamentare dhe koalicioni qeverisës, sipas KDI-së, janë treguar të paafta politikisht për të trajtuar disa prej temave më të rëndësishme, siç është ratifikimi marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Marrë parasysh vështirësitë që po hasë në vendimmarrje, pritet që Kuvendi sfidën e radhës ta ketë në muajin mars, kur Qeveria pritet të riprocedojë për miratim Marrëveshjen përdemarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Nëse edhe atëherë dështon ta ratifikoj këtë marrëveshje, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë, kanë paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme, mund të vinin si opsion për të dalë nga bllokada aktuale.

XS
SM
MD
LG