Ndërlidhjet

Mosul: Sulmuesi vetvrasës ishte britaniku i konvertuar në mysliman 


Fotografia e militantit, Abu-Zakariya al-Britani pak para sulmit vetvrasës në Mosul
Fotografia e militantit, Abu-Zakariya al-Britani pak para sulmit vetvrasës në Mosul

Personi që e kreu sulmin vetëvrasës ndaj një pike kontrolli të ushtrisë irakiane në qytetin e Mosulit, javën e kaluar, ka qenë një shtetas britanik që më parë ka qenë i burgosur në burgun amerikan të Guantanamos.

Zyrtarë perëndimor të sigurisë kanë thënë se ai është mbajtur në Guantanamo në vitin 2004.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se militanti i organizatës ekstremiste, Shteti Islamik, që e ka kryer sulmin, ka qenë Abu Zakariya al-Britani, qytetar britanik emri i mëparshëm i të cilit ka qenë Ronald Fiddler.

Një ushtar irakian është vrarë dhe katër të tjerë janë lënduar në sulmin në Mosul.

Burime të IS-it kanë publikuar fotografinë e britanikut që është bërë pak para sulmit, ndërsa zyrtarët perëndimor kanë thënë se është shumë e mundshme që Britani ka qenë sulmuesi.

Me prejardhje nga qyteti i Manchesterit, Britani është konvertuar në mysliman kur ka qenë në të ’20-at. Ai është arrestuar nga forcat amerikane në Afganistan në vitin 2002 prej nga është dërguar në Guantanamo.

Ai është liruar në vitin 2004 pas lobimit për këtë nga qeveria e kryeministrit Tony Blair.

Gazeta “The Daily Mail” ka raportuar se Britani është shpërblyer me 1.25 milion dollarë para të kompensuara nga qeveria britanike në vitin 2010 për shkak të dyshimit se ai është trajtuar keq derisa ka qenë i paraburgosur nga amerikanët.

Qeveria britanike e ka pranuar se është bërë pagesa, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Britani më pas ka udhëtuar drejt Sirisë dhe ka luftuar krahas organizatës terroriste, Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG