Ndërlidhjet

Zaev: Jemi harmonizuar me partitë shqiptare, Maqedonia shpejt me Qeveri


Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev ka bërë të ditur se i ka siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin nga Presidenti për krijimin e Qeverisë së re.

Zaev, që po qëndron në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës, tha se ka harmonizuar qëndrimet me partitë politike shqiptare, përfshirë edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Tanimë kemi siguruar nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të marrë mandatin. Besoj se ka mbetur një pjesë e vogël për t’u biseduar rreth formimit të Qeverisë së Maqedonisë, sepse çështjet kruciale, siç është platforma e Qeverisë së re, platforma e Lidhjes Social Demokrate, platforma e partive politike shqiptare, Ligji që rregullon përdorimin e gjuhëve tanimë janë harmonizuar”, ka theksuar Zaev.

Zaev tha se ka mbetur që të ulet me kryetarët e partive të tjera për të diskutuar rreth ndarjes së dikastereve ministrore dhe kuadrin që do të jetë pjesë e qeverisë së re .

“Besoj se brenda 10 apo 15 ditëve Maqedonia do ta ketë qeverinë e re të kryesuar nga social demokratët”, tha Zaev.

Ai nuk beson se do të ketë protesta të organizuara nga VMRO DPMNE e kryesuar nga Nikolla Gruevski si shenjë pakënaqësie apo shfaqje revolte.

"Ajo se do të ketë protesta apo bojkot nga VMRO DPMNE nuk do të ndodh, sepse siç e dini kur e majta vjen në pushtet atëherë ka dialog. Ne jemi të hapur për të biseduar për gjithçka dhe të arrihet një zgjidhje. Nuk ka nevojë për protesta. Nëse unë tani shtroj pyetjen pse duhen protesta askush nuk e di, madje këtë nuk e di as Gruevski, megjithëse paralajmëron protesta. Pse? Sepse shkojnë në opozitë pas 11 vitesh. Nëse dëshirojnë pa arsye të mbajnë protesta atëherë le të shëtisin pak rrugëve “, tha Zaev.

Ahmeti pritet të vendos të premten për koalicion me Zaev-in

Ligji që rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe mundëson një shtrirje të gjerë në të gjitha institucionet shtetërore, si në pushtetin vendor ashtu dhe atë qendror, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani.

“Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim unanimisht ka miratuar tekstin e ligjit për gjuhën, i cili rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe vendor në Maqedoni. Përmes këtij ligji gjuha shqipe përfiton shtirje juridike në të gjitha nivelet e shtetit, prej presidencës deri tek institucioni më i vogël në nivel lokal”, tha Osmani, duke shtuar se për një shtrirje dhe në rrafshin diplomatik duhet të pësojë ndryshime Kushtetuta e Maqedonisë.

“Kushtetuta e Maqedonisë sanksionon përdorimin e barabartë të gjuhës shqipe me atë maqedonase gjatë komunikimit ndërkombëtar dhe ky ligj nuk e rregullon këtë çështje”, tha Osmani.

Ndryshe, ligji i cili rregullon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, të mërkurën mbrëma ka marrë dritën jeshile nga anëtarët e kryesisë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim ku kanë marrë pjesë dhe 10-të deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, pasi ata në formë të detajuar kanë shqyrtuar më shumë se 20 nene të draft-ligjit të zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

Për ligjin e gjuhës shqipe paraprakisht kishte ofruar një version Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, por më pas BDI në bashkërendim me Aleancën për Shqiptarët, dhe konsultë më të gjerë të ekspertëve juridikë, hartoi draft-ligjin që mundëson avancimin e statusit juridik të përdorimit të gjuhës shqipe në më shumë dimensione.

Pas çështjes së gjuhës shqipe, të premten pritet të diskutohen temat që kanë të bëjnë me zgjidhjet ligjore për barazinë ekonomike të gjitha rajoneve te Maqedonisë, si kusht që deputetët shqiptarë të deponojnë nënshkrimet e tyre, në mënyrë që lideri i LSDM-së, Zoran Zaev të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë, pasi paraprakisht, lideri i VMRO DPME-së, Nikola Gruevski dështoi të formojë Qeverinë.

“Të premten vazhdon mbledhja e kryesisë qendrore e BDI ku do të debatohen mundësitë e tjera të inkorporuar në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare dhe pastaj do të vendoset rreth veprimeve të ardhshme edhe pse më duhet të theksoj se kryetari i partisë, Ali Ahmeti ka autorizime statutare për të sjell një vendim për të mbështetur ose jo me deponimin e nënshkrimeve që Zaevi të marrë mandatin, mirëpo kjo do të mbetet të vendoset pas analizave që do t[i bëjë kryetari i BDI-së dhe kryesia e partisë”, thotë Osmani.

Ndërkaq nga burime nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaevi, për Radion Evropa e Lirë thonë se presin që BDI sa më shpejt të vendos për deponimin e nënshkrimeve të deputetëve sepse në këtë formë i hapet rrugë formimit të Qeverisë së re, e cila do të angazhohet për realizimin e formave dhe futjen e vendit në agjendën e integrimeve.

Stërzgjatja e formimit të Qeverisë së re pamundëson zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë, theksojnë nga Lidhja Social demokrate e Maqedonisë.

Dy partitë e tjera Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thanë se do të deponojnë nënshkrimet e deputetëve të tyre për të marrë mandatin kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, dhe pas kësaj do të fillojnë bisedimet për të marrë ose jo pjesë në Qeveri ndërkohë që kanë thënë se do ta mbështesin Qeverinë e kryesuar nga LSDM-ja.

Duhet theksuar se presidenti i Maqedonisë pas dështimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski të formojë Qeveri, tha se mandatin do t`ia japë asaj partie e cila do të sigurojë shumicën parlamentare përkatësisht minimum 61 nënshkrime të deputetëve, duke vendosur si kusht dhe platformën e mandatarit i cili nuk do të shkel karakterin unitarë të shtetit.

XS
SM
MD
LG