Ndërlidhjet

SHBA: Ish-sekretari i punës është zgjedhur shef i Partisë Demokratike


Tom Perez
Tom Perez

Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara e ka zgjedhur mbrëmë ish-sekretarin e punës, Tom Perez, për kryesues të ri kombëtar, pas një gare të ashpër kundër anëtarit liberal të Kongresit amerikan, Keith Ellison.

Në rundin e dytë zgjedhor, Perez i ka fituar 235 vota, ndërsa Ellison 200 sosh.

Perez është personi i parë latino-amerikan që e mbanë këtë post.

Të dy pjesëmarrësit në garë, Tom Perez dhe Keith Ellison, kanë kërkuar unitet partiak.

“Ne të gjithë jemi së bashku në këtë”, tha Perez, duke kërkuar nga demokratët që të rezistojnë “kundër presidentit më të keq në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Ellison, që në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar e kishte mbështetur kandidatin, Bernie Sanders, tha se “ne nuk e kemi luksin për të dalë të ndarë nga kjo dhomë”.

Presidenti amerikan, Donald Truimp, në rrjetin Twitter menjëherë ka reaguar lidhur me këtë zhvillim.

“Urime për Thomas Perezin, i cili posa është emëruar kryesues i DNC-së. Nuk mund të isha më i lumtur për të, ose për Partinë Republikane”.

Lideri i Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC) ndihmon në promovimin e platformës së partisë dhe e koordinon aktivitetin organizativ.

XS
SM
MD
LG