Ndërlidhjet

Ushtria e Kosovës nuk bëhet pa votat e pakicave


Ndërtimi i institucionit të Forcave të Armatosura të Kosovës është përgjegjësi e madhe për deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe për zyrtarët e lartë shtetëror, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas tyre, mosgatishmëria e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës që të votojnë për ndryshimet kushtetuese që do të çonin drejt transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të vendit, është për keqardhje.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se vet Kushtetuta e Kosovës, e cila deputetëve të komunitetit pakicë serbë u jep të drejtën e votës së dyfishët, pa të cilën nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, është sajuar në koordinim dhe në kooperim me faktorin ndërkombëtar.

Nisur nga kjo, sipas tij, zgjidhja për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, duhet gjetur në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.

“Ne në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërmarrim ndonjë vendim apo vendim unilateral, por gjithsesi veprimet tona duhet t’i koordinojmë me faktorin ndërkombëtar dhe kur është gjetur së bashku me ta zgjidhje për shumë probleme të natyrave të ndryshme, besoj që do të gjejmë zgjidhje edhe në situatën e tillë që jemi, respektivisht edhe për çështjen që ka të bëjë me transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq nga radhët e Listës Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet qendrore të vendit, ka thënë për mediet serbe se ky subjekt politik mbetet pranë qëndrimit të saj që të mos votojë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Qëndrimi ynë për këtë nuk ka ndryshuar dhe e gjithë kjo dëshirë që kjo të bëhet, duket se buron para së gjithash nga arsyeja populliste e politikës ditore dhe se për këtë nuk ekziston nevoja serioze. Nuk ekziston as argumentim serioz i paraqitur se pse duhet të ndodhë kjo”, ka thënë Stojanoviq.

Por, ministri Demolli thekson se edhe sipas Dokumentit të Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, çështja e sigurisë kurdo qoftë duhet të kalojë në duart e autoriteteve vendore, përfshirë edhe çështjen e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit.

“Nisur edhe nga rishqyrtimi i Strategjisë së sektorit të sigurisë, i cili është bërë së bashku me faktorin ndërkombëtar, prej nga del edhe një prej rekomandimeve kryesore, e që është transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova patjetër duhet t’i ketë forcat e veta të armatosura".

"Mirëpo, në këtë situatë, në të cilën kemi ardhur, me njëfarë mosgatishmërie të deputetëve të komunitetit serb, unë besoj që duhet ta zgjidhim këtë situatë apo se do të dalim nga kjo situatë në koordinim dhe në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar”.

Ndryshe, duke u nisur nga mosgatishmëria e deputetëve të Listës Serbe që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme, ka pasur zëra që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të bëhet përmes një ligji të veçantë.

Por, një mundësi të tillë e hedh poshtë Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, me transformimin e FSK-së, do të ndryshonte edhe mandati i saj.

Mandati i Forcave të Armatosura të Kosovës, siç thotë ai, do ta ishte mandat i një ushtrie dhe do të konsistonte në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, qytetarëve pa dallim, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe do të ishte mandat i ushtrisë së Kosovës për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në planin global, e që do të ishte krejtësisht tjetër nga mandati që tash e ka FSK-ja.

“Transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, sipas Kushtetutës në fuqi, nuk mund të bëhet pa shumicën e dyfishtë të dy të tretave, që nënkupton edhe dy të tretat (e përfaqësuesve) të komuniteteve jo shumicë".

"Transformimi iFSK-së përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së sotshme dhe amendamenteve që kanë kaluar kontrollin kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së. Mandati i çdo ushtrie përcaktohet me kushtetutë dhe jo me ligj”, thotë Hasani.

Zyrtarët e NATO-s kanë theksuar se NATO e mbështet zhvillimin e kapaciteteve aktuale të FSK-së, kurse transformimi i saj mbetet çështje ligjore që duhet ta zgjidhin institucionet e Kosovës. (REL)

XS
SM
MD
LG