Ndërlidhjet

Vendimi për Haradinajn shtyhet për 6 prill, reagime të ashpra në Prishtinë


Gjykata franceze në Colmar ka vendosur që të shtyjë për 6 prill vendimin në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ky i fundit është paraqitur të enjten para gjykatës, por drejtësia franceze ka kërkuar edhe një muaj afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.

Pas seancës gjyqësore, e cila ka zgjatur vetëm disa minuta, Haradinaj është paraqitur para medieve dhe një mase njerëzisht të tubuar aty, duke thënë se shtyrja e vendimit ishte e padrejtë.

“Vendimi i radhës pritet më 6 prill. Jam peng politik. Ky proces është më së paku ligj dhe më së shumti politikë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë, me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës.

“Lufta 1998-99 është filtruar në Gjykatën e Hagës. Luftë tjetër nuk ka ndodhë, pra unë jam peng politik. Të gjithë ata që janë pjesë e këtij veprimi duhet t’u vijë turp si për edhe për ligjin edhe por të gjitha”, është shprehur ai.

Pas shtyrjes së verdiktit për rastin Haradinaj, kanë reaguar institucionet dhe përfaqësuesit më të larta të Kosovës, presidenti, qeveria, kryetari i Kuvendit, si dhe partitë politike në pushtet dhe opozitë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se mbajtja e Haradinajt në Francë, nën masën e lirimit me kusht, është e pakuptimtë.

“E konsiderojmë krejtësisht të papranueshme mbajtjen e Haradinajt dhe moskthimin e tij në Kosovë. Prandaj presim nga institucionet e Francës që të mundësojnë që ai sa më shpejtë të kthehet në Kosovë, ndërkaq para gjykatave të tilla duhet të përgjigjen ata që kanë bërë krime në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Kurse partia e Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate thotë se shtyrja e vendimit përbën një përpjekje për mënjanimin politik të Haradinajt.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se gjykata franceze mori vendim abuzues për rastin Haradinaj.

“Kjo që sot e pamë nga Colmari, nuk është asgjë më shumë sesa një kidnapim për interesa të Serbisë dhe të gjithë atyre që janë në krahun e saj”, ka thënë Lekaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës tha se gjykata franceze në Colmar mori një vendim zhgënjyes. Këto qëndrime, Hoxhaj tha se ia ka shprehur edhe ambasadorit të Francës në Prishtinë dhe ministrit të jashtëm francez.

“Unë kam biseduar në telefon me Haradinajn pas vendimit që ka marrë gjykata në Francë. Si Ministri e Punëve të Jashtme edhe ambasada jonë në Paris, do të ofrojë përsëri garanci shtetërore për akuza të cilat janë qesharake dhe të papranueshme të cilat i ka ngritur Serbia në rastin Haradinaj”, ka theksuar Hoxhaj.

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se shteti i Kosovës duhet të reflektojë dhe të marrë masa ndaj veprime të tilla të Serbisë.

“Më lejoni që të shpreh solidarizim me Ramush Haradinajn në këtë situatë tërësisht të pakuptimtë pas vendimit të sotëm, njejtë siç është i pakuptimtë çdo negocim me shtetin e Serbisë, përderisa nuk tërhiqen fletë-arrestet ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë bërë gjatë kohës së Millosheviqit”, ka deklaruar Osmani.

​Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit.

Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt dhe 2 mars, tani vendimi për rastin Haradinaj është shtyrë për 6 prill.

Haradinaj i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi i tij nga autoritetet franceze nuk është dashur të ndodhë fare, ngase fletë-arrestet serbe, ka vijuar ai, janë të pakuptimta. Urdhër-arrestet serbe, ka thënë ai, nuk po respektohen tashmë nga vendet shumë shtete, si Gjermania, Britania e Madhe e vende tjera.

Ndalimin e tij në Francë, Haradinaj e ka cilësuar si mbajtje peng, që vjen si pasojë e veprimeve politike të lidershipit të Serbisë.

“Nikoliq, Vuçiq e Daçiq kanë qenë pjesë e strukturave të Millosheviqit që u kanë shkaktuar tragjedi popujve të Ballkanit, prej Bosnjes, Kroacisë dhe Kosovës. Asnjëri nga ta nuk ka kaluar nëpër ndonjë gjykatë, qoftë vendore apo ndërkombëtare. Ndërkaq unë kam kaluar para (nën jë proces gjyqësor) një gjykate ndërkombëtare e cila e ka filtruar, pra e ka dhënë pafajësinë time, për luften gjatë vitet 1998 – 1999”, ka thënë Haradinaj.

“Jam shqiptar. Kam lindur shqiptar. I detyrohem popullit dhe vendit tim dhe për këtë jam krenar. I mbetem besnik popullit dhe vendit tim dhe nuk njoh jurisdiksion serb mbi mua”, është shprehur Haradinaj.

I bindur se do të shpallet vendimi për lirimin e tij, Haradinaj ka thënë se në Kosovë e presin shumë punë.

“Nuk e kemi mirë gjendjen me qeverisjen, me rendin e ligjin dhe me shumë aspekte të jetës dhe unë besoj se kemi shumë punë”, ka theksuar Haradinaj.

Edhe avokati i tij, Arianit Koci ka shprehur bindjen e tij se Haradinaj do të lirohet, më 2 mars.

Ndërkaq, ekspertë të çështjeve penale, kanë deklaruar se ka ende gjasa që procesi të zvarritet, për shkak se organet kompetente të drejtësisë në Francë, nisur nga gjykatat, duhet të shqyrtojnë qëndrueshmërinë, vlefshmërinë dhe vërtetësinë e provave që Serbia i ka deponuar për këtë rast.

Pas aktakuzës së parë të ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai ishte dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij, po në Tribunalin e Hagës. Por, në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UÇK-së. Kurse pas luftës, ai ishte themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i të cilës është edhe sot.​ (REL)

XS
SM
MD
LG