Ndërlidhjet

Raportet: Shtëpia e Bardhë ka kërkuar ruajtjen e dokumenteve për kontaktet Trump-Rusi


Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë
Pamje e pjesës veriore të Shtëpisë së Bardhë

Mediat amerikane raportojnë se juristët e Shtëpisë së Bardhë kanë kërkuar nga personeli i presidentit, Donald Trump, që t’i mbrojnë materialet, të cilat mund të kishin ndonjë lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Agjencitë AP dhe Reuters dje i kanë cituar zyrtarët e administratës, që kanë dashur të mbeten anonimë, të cilët kanë thënë se dje, personelit të Shtëpisë së Bardhë i ishte dërguar një memorandum, pasi demokratët në Senat kanë kërkuar që Shtëpia e Bardhë t’i mbante të gjitha materialet, që i dokumentojnë kontaktet, që të punësuarit e zotit Trump i kishin pasur me zyrtarët qeveritarë rusë ose ndihmësit e tyre.

Një kërkesë të tillë për Shtëpinë e Bardhë e kishte bërë edhe Komiteti për inteligjencë i Senatit amerikan.

Agjencia FBI ka zhvilluar hetime lidhur me kontaktet ndërmjet këshilltarëve të Trumpit dhe Rusisë, derisa komitetet e Kongresit po hetojnë për rolin e Rusisë në ndërhyrjet kibernetike gjatë fushatës për zgjedhje.

Anëtarët e personelit të Kongresit thonë se nuk kanë dëshmi se materialet e ndërlidhura me Rusinë nuk po ruhen.

Komuniteti i inteligjencës ka konkluduar se Rusia i ka rrjedhur dokumentet e demokratëve të siguruara nga sulmet kibernetike, vitin e kaluar, për ta ndihmuar Donald Trumpin që të shënoj fitore kundër kandidates demokrate Hillary Clinton.

Lideri demorat në Senat, Chuck Schumer, javën e kaluar tha se “ekziston shqetësim real se disa në administratë mund të përpiqen t’i fshehin lidhjet e tyreme Rusinë, duke i fshirë emailat, tekstet ose shënimet e tjera, që mund të qesin dritë në këto lidhje”.

Shtëpia e Bardhë dhe Rusia i kanë hedhur poshtë këto akuza.

XS
SM
MD
LG