Ndërlidhjet

Gjykatësi bllokon edhe urdhrin e ri të Trumpit për udhëtimin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, fajësoi një gjyqtar të Gjykatës së Qarkut, i cili pezulloi urdhrin e rishikuar të udhëtimit, dhe e akuzoi atë për “humbje të paparë të ekuilibrit gjyqësor”.

Gjykatësi Derrick Watson lëshoi vendimin për bllokimin e urdhrit të mërkurën vonë, vetëm pak orë para se ai të hynte në fuqi. Gjykatësi tha se ka gjasa të mëdha që urdhri të jetë jokushtetues dhe të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për shtetin e Havajit dhe qytetarët e tij.

Ka qenë e paraparë që me urdhrin ekzekutiv t’iu ndalohet hyrja përkohësisht në SHBA qytetarëve të gjashtë vendeve më shumicë myslimane. Urdhri është dashur të hyjë në fuqi më 16 mars.

Trump tha se pezullimi i urdhrit, të krijuar për të mbajtur “terroristët jashtë vendit”, e bën Amerikën të dukët e dobët.

Trump u zotua se do ta luftojë vendimin e gjykatësit dhe se do ta dërgojë atë në Gjykatën Supreme, nëse është e nevojshme. “Do ta fitojmë betejën ligjore”, tha ai në një tubiim në shtetin Tenesi.

“Kushtetuta i jep presidentit fuqinë për të pezulluar migracionin, kur ai vlerëson se është në interesin kombëtar të vendit tonë”, tha Trump.

Urdhri i pezulluar, i nënshkruar më 6 mars, ka qenë rishikim i urdhrit fillestar të Trumpit, të nënshkruar më 27 janar, i cili ka ndaluar vizitorët nga shtatë vende me shumicë myslimane dhe individë me dokumente valide të qëndrimit dhe viza.

Vendet e prekura në urdhrin e rishikuar janë Irani, Siria, Sudani, Somalia, Libia dhe Jemeni, ndërsa është hequr Iraku. Edhe urdhri i rishikuar, edhe urdhri fillestar u kanë ndaluar hyrjen në SHBA të gjithë refugjatëve.

Gjykatësi i Havajit, i cili është emëruar nga ish-presidenti Barack Obama, tha se argumenti se ndalimi shkel Amandamentin e Parë të Kushtetutës për mbrojtje kundër diskriminimit fetar, pritet të ketë sukses në gjykata.

“Vëzhguesi objektiv do të konstatojë se urdhri ekzekutiv është lëshuar me qëllim që të diskreditojë një fe të caktuar”, tha gjykatësi Watson. Ai shtoi se duke sulmuar gjashtë vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, sulmohet edhe Islami, sepse popullsia e tyre është myslimane nga 90.7 përqind deri në 99.8 përqind.

Gjykatësi tha se Trump i formëson veprimet e tij mbi me gjuhë fetare dhe përmendi një intevistë të marsit 2016, në të cilën Trump ka thënë: “Mendoj se Islami na urren”.

Vendimi i gjykatësit Watson është i përkohshëm, derisa të dërgohen argumente të tjera më të gjera përpara gjykatës së tij. Urdhri i rishikuar është sfiduar edhe në disa shtete të tjera.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuseve, Paul Ryan, tha se ndalesa është e nevojshme për të përmirësuar verifikimin e njerëzve që hyjnë në SHBA dhe për të parandaluar sulmet terroriste. Ai tha se nuk ka dyshim se ajo do të vërtetohet nga gjykatat më të larta.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG