Ndërlidhjet

SHBA: Ligjvënësit nuk kanë parë dëshmi për akuzat e Trumpit për përgjim


Devin Nunes (djathtas) dhe Adam Schiff duke folur mbrëmë para gazetarëve në Uashington
Devin Nunes (djathtas) dhe Adam Schiff duke folur mbrëmë para gazetarëve në Uashington

Ligjvënësit e njohur amerikanë thonë se nuk kanë parë dëshmi me të cilat do të mbështeteshin akuzat e presidentit, Donald Trump, se paraardhësi i tij, Barack Obama, e ka përgjuar atë gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar.

Këto komente të mbrëmshme nga demokratët dhe republikanët në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, u bënë derisa është rritur presioni ndaj drejtorit të agjencisë FBI, James Comey, që të paraqes prova, me të cilat do të mbështeteshin ose do të refuzoheshin pretendimet e zotit Trump.

“Ne nuk kemi asnjë dëshmi se kjo ka dodhur”, u tha gazetarëve kryesuesi i komitetit, Devin Nunes,republikan nga Kalifornia, dhe ka shtuar se “nuk mendoj se ka pasur përgjim në Trump Tower”.

Kolegu i tij demokrat, Adam Schiff, po ashtu nga Kalifornia, tha se “është thellësisht shqetësuese se presidenti do të bënte akuza të këtilla pa bazë”.

Pritet që zoti Comey dhe shefi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë për këtë çështje, do të dëshmojnë në një dëgjim në Dhomën Përfaqësuese më 20 mars.

XS
SM
MD
LG