Ndërlidhjet

Trump, në takim me Merkelin, thekson mbështetjen për NATO-n


Uashington, 17 mars 2017.
Uashington, 17 mars 2017.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu "mbështetjen e fuqishme" të Uashingtonit për NATO-n, gjatë takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Shtëpinë e Bardhë.

Trump, megjithatë, shtoi se vendet anëtare të aleancës ushtarake duhet të paguajnë "barrën e njëjtë" për mbrojtje.

Ai tha se e falënderon kancelaren Merkel për angazhimin e Qeverisë gjermane për të rritur shpenzimet në mbrojtje.

Trump po ashtu theksoi nevojën për "zgjidhje paqësore" të krizës në Ukrainë.

Merkel, në anën tjetër, tha se marrëdhëniet me Rusinë duhet të përmirësohen, porse situata në Ukrainë duhet të zgjidhet fillimisht.

Merkel tha se me Trumpin ka biseduar edhe për çështjen e migrimit.

Takimi Trump-Merkel pasoi një fillim gjaknxehtë të marrëdhënieve.

Prejse presidenti i ri amerikan ka marrë detyrën më 20 janar, Merkel ka folur fuqishëm në favor të politikave që Trump i ka kundërshtuar.

Merkel ka kundërshtuar deklaratat e Trumpit se NATO është një "aleancë e vjetëruar", duke thënë se "sfidat e botës sonë sot nuk mund të menaxhohen nga ndonjë shtet individual".

Merkel ka folur edhe në favor të agjendës së tregtisë multilaterale, të cilën Trump e ka vënë në pikëpyetje.

Ajo po ashtu ka thënë se "bashkëpunimi i ngushtë" midis Uashingtonit dhe Evropës duhet të bazohet në "vlera të përbashkëta", përfshirë demokracinë, lirinë dhe respektin për të drejtat dhe dinjitetin e secilit individ.

Gjatë fushatës zgjedhore më 2016, Trump e ka cilësuar politikën e Merkelit për dyer të hapura për migrantët si "të çmendur".

XS
SM
MD
LG