Ndërlidhjet

Fëmijë dhe nxënës në protesta kundër shqipes


Fëmijë dhe nxënës në protesta kundër shqipes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Përfshirja e fëmijëve në protesta në mbështetje të opsioneve të caktuara politike parqet shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve, thonë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Në protestat e organizuara nga iniciativa qytetare “Për një Maqedoni të përbashkët”, të enjten prindërit kishin dalë bashkë me fëmijët e tyre të mitur, për të kundërshtuar shtrirjen gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe koalicionit të Social Demokratëve me partitë politike shqiptare për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë.

Në duar prindërit mbanin pankarta me gjurmët e duarve të fëmijvë të tyre me ngjyrat e flamurit të Maqedonisë, me ngjyrë të kuqe dhe atë të verdhë..

“Ky është revolucioni i prindërve për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Këtë vizion të prindërve të tyre, nënave dhe baballarëve të tyre, fëmijët nuk do ta harrojnë asnjëherë”, ka theksuar Boris Damovski nga këshilli organizativ i protestave "Për një Maqedoni të Përbashkët".

Nga ana tjetër, për çdo ditë nxënësve të shkollave të mesme nga e gjithë Maqedonia, përmes rrjeteve sociale u bëhet thirrje të dalin për t'ju bashkangjitur protestave në mbrojtje të shtetit.

Ndërkohë javën e kaluar është publikuar dhe një video ku shihet drejtori i gjimnazit të Prilepit duke e mbajtur një fjalim me shprehje nacionaliste para nxënësve të kësaj shkolle, duke i stimuluar për të dalë në protesta.

Nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë thonë se e gjykojnë këtë veprim ndonëse akoma nuk janë marrë masa konkrete për të parandaluar përfshirjen e nxënësve në protesta.

“Ne gjykojmë dhe dënojmë të gjitha aktet që bëhen në kundërshtim me ligjin për arsim të mesëm, me ç'rast politizohen të rinjtë e shkollave të mesme, nxirren në rrugë në vend se të shkollohen dhe arsimohen. Ne në bazë të kompetencave që kemi si Ministri e Arsimit e kemi kontaktuar dhe autorizuar inspektoratin e arsimit që të bëjë verifikimin e gjendjes faktike në teren".

"Në një afat të shkurtër kohor presim që inspektorati i arsimit të na raportojë dhe nëse konstatohet se ka thyeje të ligjit të ndërmerren masa sanksionuese ndaj drejtuesve të shkollave të mesme”, thotë pë Radion Evropa e Lirë, Safet Neziri nga Ministria e Arsmit të Maqedonisë.

Por, Nenad Novksovski, ish ministër i arsimit të Maqedonisë, thotë se duhet të dënohen të gjithë ata drejtues të institucioneve arsimore që nxisin të rinjtë në moshë të mitur të përfshihen në mbrojtjen e opsioneve të caktuara politike.

“Të gjithë drejtorët e shkollave të mesme të cilët i nxisin nxënësit që të largohen nga orët e mësimit për të marrë pjesë në protesta duhet të sanksionohen. Ikja nga orët e mësimit jo vetëm që ka impakt në nxënien e dijes, por në këtë formë ata pa vetëdije përshihen në lojëra të rrezikshme politike”, tha për Radion Evropa e Lirë, Nenad Novskovski.

Nga ana tjetër, Urania Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, tha se të rinjtë në Maqedoni në vazhdimësi keqpërdoren për qëllime politike gjatë proceseve zgjedhore ose protestave që kanë karakter politik dhe për këtë fatkeqsisht askush nuk ka marrë përgjegjësi e aq më pak është ballafaquar me drejtësinë.

“E shohim se institucionet shtetërore duke mos ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e dukurive të këtilla që janë të pranishme për javë të tëra, duket se e inkurajon këtë dukuri në vend se ta pengojë. Më e keqja është se indoktrinimi i të rinjve në protesta në fund jo rrallë herë përfundon me incidente, lëndime trupore dhe dhunë".

"Indoktrinimi më së shpeshti bëhet mbi bazë etnike. Kjo paraqet një rrezik të madh me pasoja afatgjate për një shtet shumëetnik siç është Maqedonia”, thotë Pirovska.

Oganizatat joqeveritare thonë se viktimizimi i të rinjve për qëllime politike paraqet viktimizim për të ardhmen e Maqedonisë duke kërkuar që sa më parë të ndërpritet agjitimi për përfshirjen e nxënësve në protesta që kryesisht bëhet përmes rrjeteve sociale, madje dhe në oborret shkollave të mesme përderisa drejtorët e shkollave dhe profesorët shtiren se nuk e shohin këtë dukuri. (REL)

XS
SM
MD
LG