Ndërlidhjet

Veseli: Është vullnet i popullit, Kosova do ta ketë ushtrinë e saj


Kadri Veseli
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj, sepse, sipas tij, “ky është vullneti i popullit të Kosovës”.

Veseli tha se ushtria e Kosovës do të jetë aleate besnike e NATO-s. Deklaratat e Veselit u bënë në përmbyllje të punimeve të Konventës së tetë të Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilën shpalosi edhe një pjesë të një vizioni për të ardhmen e Kosovës.

“Ushtria e Kosovës do të jetë moderne dhe anëtare dinjitoze e NATO-s. Uniforma e ushtrisë së Kosovës do t’i shërbejë paqes, stabilitetit dhe idealit për një botë më të mirë. Ne do të jemi aleat besnik dhe efektiv i Aleancës perënimdore në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Veseli.

Një projektligj për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, iu dorëzua pak javë më parë Kuvendit të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar nga ligjvënësit ta votojnë, në të kundërtën ka kërcënuar me dorëheqje.

Projektligji për ushtrinë e Kosovës është kundërshtuar nga Aleanca Veri-atlantike, NATO, dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, që kanë këkruar ‘krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese”. Ata thanë se “nuk do t'i mbështesin hapat e njëanshëm”

Ndryshimet kushtetuese, ndërkaq, vështirë të mund të realizohen për shkak të kundërshtimit të pjesëtarëve të pakicës serbe në Kuvend, të cilët janë mbështetur edhe nga Beogradit zyrtar.

Por, kryetari i PDK-së dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të dielën se “ekziston një vendosmëri më e madhe dhe një bashkim më i madh për ta bërë ushtrinë e Kosovës dhe për ta mbrojtur shtetin nga kundërshtarët e jashtëm dhe të brendshëm”.

Veseli deklaroi se “shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës nuk është i përkohshëm, por është vepra më madhështore e popullit të Kosovës.”

“Si populli më i vjetër në Evropë, ne presim përkrahjen më të madhe në Bashkimin Evropian dhe respekt e njohje të progresit tonë të drejt anëtarësimit të plotë”, u shpreh Veseli.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG