Ndërlidhjet

SHBA: Senati e avancoi pranimin e Malit të Zi në NATO


Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic në konferencën për media në selinë e NATO-s në Bruksel, më 26 janar, 2017
Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic në konferencën për media në selinë e NATO-s në Bruksel, më 26 janar, 2017

Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar me shumicë të madhe të anëtarëve të vet, për ta avancuar miratimin e pranimit të Malit të Zi në NATO.

Mbrëmë vonë, 97 senatorë votuan për, ndërsa vetëm 2 ishin kundër. Për miratim, ishte e nevojshme shumica prej dy të tretave të votve.

Kundër kësaj mase votuan dy senatorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee.

Me këtë veprim është hapur mundësia e votimit, më vonë këtë javë, për ratifikimin e pranimit të Malit të Zi në NATO.

Votimi final do të mbahet në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Pasi kjo të ndodhë, Spanja mbetet i vetmi shtet anëtar i NATO-s që duhet ta miratojë kërkesën e Malit të Zi për anëtarësim në aleancë.

Anëtarësimi i Malit të Zi do ta vendoste këtë vend më afër strukturave politike, ekonomike dhe mbrojtëse të Evropës, por, njëherësh do ta thellonte edhe më tepër mosbesimin e Rusisë ndaj NATO-s, e cila zgjerimin e aleancës veriatlantike në lindje, e sheh si kërcënim.

Serbia fqinje dhe Mali i Zi kanë afërsi gjuhësore dhe kulturore me Rusinë, derisa rusët, përfshirë miliarderin Oleg Deripaska, i ndërlidhur me Kremlinin, kanë bërë investime të rëndësishme gjatë viteve të fundit në Mal të Zi.

Para votimit në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Moska kishte sinjalizuar kundërshtim të fuqishëm ndaj përpjekjeve të Malit të Zi për pranim në NATO.

Një përpjekje për grushtshtet vitin e kaluar, për të cilin disa anëtarë të parlamentit malazez e fajësonin Moskën, ishte parë si përpjekje e mundshme e Rusisë, për ta shkatërruar synimin e Podgoricës për të hyrë në NATO.

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për kërkesën e Malit të Zi për të hyrë në NATO, në të shumtën e rasteve ka qenë e fuqishme, megjithqë disa vëzhgues kanë spekuluar se retorika pajtuese e presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Rusisë, mund të rezultojë me mbështetje më të butë për zgjerim të NATO-s.

Megjithatë, para votimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u ka shkruar liderëve të Senatit, duke thënë se miratimi do të duhej të bëhej para samitit madhor të NATO-s në muajin maj.

Mali i Zi po përpiqet të bëjë çdo gjë të mundshme që presidenti rus, Vladimir Putin, i urren”, tha senatori republikan, Lindsey Graham, që është zë udhëheqës partiak për çështjet e jashtme.

Javën e kaluar, komandanti më i lartë ushtarak amerikan në Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti, i tha një komiteti të Senatit, se kundërshtimi i synimit të Malit të Zi, do të dërgonte sinjal të gabueshëm te vendet e tjera të interesuara për anëtarësim në aleancë.

Në mesin e shteteve të tillë mund të jenë edhe ish-republikat sovjetike, të cilat aktualisht ballafaqohen me agresion ushtarak rus, siç është rasti me Gjeorgjinë, ose me kryengritje separatiste të mbështetur nga Rusia, siç po ndodhë në Ukrainë.

Senatori republikan, Rand Paul, e kishte bllokuar një përpjekje të mëparshme për avancimin e procesit të ratifikimit të pranimit të Malit të Zi, përkundër mbështetjes së fuqishme nga demokratët dhe republikanët e tjerë.

Zoti Paul kishte sugjeruar se pranimi i Malit të Zi, do t’i tensiononte mëtutje raportet me Rusinë, e ndoshta edhe do të shkaktonte luftë.

Serbia, aleati më i fuqishëm i Rusisë në Ballkan, ka lëvizur gradualisht për afrim me Bashkimin Evropian, por jo edhe me NATO-n. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG