Ndërlidhjet

Manifesti i VMRO DPMNE zvarrit procesin e dorëzimit të pushtetit


Njohësit e çështjeve politike thonë se përmes manifestit të prezantuar nga VMRO DPMNE si udhërrëfyes për të nxjerrë Maqedoninë nga kriza, synohet të mbahen të bllokuara edhe për një kohë institucionet e shtetit me qëllim që zyrtarët e lartë të kësaj partie për të cilat ka ngritur padi Prokuroria Speciale Publike të mos përballen me drejtësinë.

Përmes programit “Manifesti për Republikën e Maqedonisë” VMRO DPMNE, e drejtuar nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, ka kërkuar të dielën bashkim kombëtar mes qytetarëve, intelektualëve, shoqatave qytetare, organizatave religjioze dhe partive politike për të siguruar stabilitet dhe të ardhme demokratike dhe evropiane për Maqedoninë si shtet.

Në manifestin e VMRO DPMNE-së theksohet si shtyllë me prioritet anëtarësimi i vendit në BE dhe NATO megjithëse nënvizohet se për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe ndryshimit të mundshëm të Kushtetutës do të pyeten qytetarët duke u shprehur në referendum.

"Vetëm përmes instalimit të shtetit juridik, Maqedonia mund të ecë përpara si shtet", theksohet në Manifest.

Por, Mersim Maksuti ekspert për çështje juridike, për Radion Evropa e Lirë thotë se partia e Nikolla Gruevskit ka pasur mundësi më shumë se një dekadë t’i zgjidh këto çështje siç është zhbllokimi i procesit eurointegrues, vendosja e dialogut politik dhe sundimi i drejtësisë për çka në vazhdimësi Maqedonia është kritikuar nga Brukseli, dhe jo tani që duhet të dorëzojë pushtetin pasi nuk e ka shumicën parlamentare të imponohet me oferta për të nxjerrë vendin nga kriza aty ku e kanë zhytur pikërisht veprimet e kësaj partie.

“Ky manifest ka pretendime të cilat janë krejtësisht të njëanshme në favor të këtij subjekti politik, pra të VMRO DPMNE-së dhe në kundërshtim të plotë me situatën e kizës politike që është prezent në vend".

"Përmes manifestit kjo parti synon të blejë kohë dhe të sensibilizojë opinionin duke u imponuar si faktor që e zgjidh situatën, por në fakt zyrtarët e lartë të kësaj partie dëshirojnë të ikin nga llogaridhënia duke bllokuar dorëzimin e pushtetit dhe formimin e institucioneve".

"Në Maqedoni kemi pas një proces zgjedhor dhe është përcaktuar qartë se kush e ka siguruar tani shumicën parlamentare dhe të drejtën legjitime për formimin e qeverisjes de drejtimin e institucioneve të vendit. Në këtë drejtim e kemi dhe angazhimin edhe të faktorit ndërkombëtar, që nuk do të lejojë që proceset në Maqedoni të kthehen në pikën zero ashtu siç synon VMRO DPMNE përmes Manifestit të paraqitur”, thekson Maksuti.

Nga ana tjetër, Trendafill Ivanovski, ish kryetar i Gjykatës Kushtuese të Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se shpallja e manifesteve i takon historisë, shteti për momentin thotë ai është i kapur dhe duhet të çlirohet, por zgjidhje nuk mund të ofrojnë ata të cilët e futën vendin në këtë kizë të thellë institucionale.

“Shihni, një nga pikat e këtij “Manifesti” ka të bëjë me realizimin e regjistrimit të popullatës, për të cilin regjistrim nga arka e shtetit para katër vitesh u harxhuan mbi 20 milionë euro dhe ky proces nuk arriti të realizohet deri në fund pikërisht në kohën kur VMRO DPMNE drejtonte me institucionet shtetërore duket shumë e pa kuptimtë. Dhe jo vetëm kjo pikë është diskutabile, por i gjithë programi i Manifestit, Maqedoninë e kthen shumë vite prapa”, thekson Ivanovski.

Përderisa, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, konsiderojnë se “Manifesti” i prezantuar nga VMRO DPMNE paraqet një përpjekje për të faktorizuar liderin e kësaj partie Nikolla Gruevskin i cili ka humbur kredibilitetin e tij politik përpara faktorit ndërkombëtar dhe gjithnjë e më shumë defaktorizohet dhe në opinionin e brendshëm.

"I ashtuquajturi “Manifest” i VMRO-DPMNE-së nuk është asgjë tjetër vetëm një përpjekje për kthimin në jetën politike të Gruevskit të defaktorizuar. Është e qartë, nuk ka kurrfarë bisedime për amnisti. Maqedonia do të jetë shtet i së drejtës. Çdokush që ka bërë krim dhe vepra të këqija ndaj qytetarëve do të përgjigjet” thuhet në komunikatën për media të Social Demokratëve".

Menjëherë pas kësaj ka reaguar të hënën VMRO DPMNE duke theksuar se “Manifesti” hidhet poshtë nga LSDM-ja meqë social demokratët duke hapur debatin për ndryshimin e hienës, dhe shtrirjes së gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqeonisë synojnë marrin pushtetin. (REL)

XS
SM
MD
LG