Ndërlidhjet

Maqedonia shënon rënie në shkallën e demokracisë


Foto nga protestat

Maqedonia ka shënuar rënie nga viti i kaluar në shkallën e demokracisë, vlerëson raporti i fundit i Freedom House.

Në raport thuhet se Maqedonia ka shënuar ulje në të gjitha kategoritë, duke përfshirë dhe qeverisjen demokratike, procesin zgjedhor, ndërkohë që theksohet ndikimi politik mbi gjykatat dhe pengesat që i bëhen punës së Prokurorisë Speciale Publike.

Uranija Pirovska drejtore e Komitetit të Helsinkit në Shkup për Radion Evropa e Lirë thotë se raporti i “Freedom House” paraqet një pasqyrë reale të asaj çka ndodh në Maqedoni, veçanërisht sa i përket uzurpimit të institucioneve shtetërore nga ana e partive politike të cilat e qeverisin shtetin dhjetë vitet e fundit.

“Institucionet e vendit në vend se të kryejnë detyrat e përcaktuara me ligj për të qenë në shërbim të qytetarëve, kapacitetet e tyre, plotësisht, i kanë vendosur në shërbim të partive në pushtet. Flasim për një periudhë më të gjatë me ç'rast në Maqedoni është rrënuar tërësisht parimi i sundimit të drejtësisë duke shënuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut".

"Edhe si Komitet i Helsinkit kemi regjistruar një numër të madh të rasteve që kanë të bëjnë me praninë e torturave në burgje, rastet e montuara politike... Pra, në Maqedoni gjatë dhjetë viteve të fundit kemi dhe të burgosur politik, një pjesë e të cilëve akoma vuajnë dënimin në burgjet e Maqedonisë. Kjo ka bërë që Maqedonia të shënojë ulje kaq të thellë dhe në raportin e Freedom House sa u përket proceseve demokratike”, thekson Uranija Pirovska drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni.

Rënie më të madhe, Maqedonia ka shënuar në lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, të cilat tani ndodhen në kategorinë jo të lirë me vlerësim më të ulët se në vitin 2001 kur Maqedonia u përball me një konflikt të armatosur.

Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thotë se Maqedonia shënon regres të dukshëm sa i përket lirisë së mediave sepse pjesa më e madhe e mediave financohen nga arka e shtetit dhe si kundër shpërblim këto media si dhe gazetarë të caktuar janë shndërruar në trampolinë të politikave të qeverisë dhe partive politike në pushtet.

“Konsideroj se kjo rënie drastike e lirisë së mediave në Maqedoni më tepër i atribuohet ndikimit politik, ndikimit të tmerrshëm të partive politike sidomos të VMRO DPMNE-së në pushtet ndaj disa mediave, televizioneve komerciale, po edhe gazetave madje dhe ndikimit në servisin publik Radio Televizionin e Maqedonisë, si dhe mediat on line ka bërë që Maqedonia të riradhitet përkrah shteteve ku liria e mediave është në një gjendje shumë të vështirë".

"E theksoj se ndikimi politik i mediave është shumë I madh në Maqedoni do të thosha i ngjashëm me atë që është në shtet me tendenca totalitariste”, nënvizon Tahiri.

Ndryshe, organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara në kuadër të projektit “Vendet në tranzicion” ka bërë një studim mbi demokracinë e 29 vendeve ish-komuniste nga Evropa.

Vlerësimi bëhet në bazë të disa kategorive përfshirë këtu: mediat e pavarura, sektorin civil, procesin zgjedhor, nivelin e korrupsionit, e të tjera, me ç'rast Maqedonia shënon rënie në vazhdimësi gjatë viteve të fundit dhe së fundmi Maqedonia shënon rënie më të madhe të demokracisë në Ballkan. (REL)

XS
SM
MD
LG