Ndërlidhjet

Një çerek shekulli më vonë, sarajevasit kujtojnë rrethimin


Rrethimi që mori mbi 11,000 jetë njerëzish
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Rrethimi që mori mbi 11,000 jetë njerëzish

Për më shumë se 500 vjet, kodrat përreth Sarajevës kanë qenë vend për shëtitje, piknik familjar apo pamje mahnitëse të qytetit.

Kjo ka ndryshuar një çerek shekulli më parë, me fillimin e rrethimit 44-muajsh të kryeqytetit të Bosnjës. Mbi 11,500 njerëz janë vrarë nga bombardimet dhe sulmet me snajperë të forcave serbe, të pozicionuara në majat e kodrave.

“Ato kanë qenë vendi ynë i preferuar. Papritmas, gjatë luftës, janë bërë simbol i së keqes dhe vdekjes”, thotë Dino Mustafiq, regjisor, 47 vjeç, i cili i ka mbijetuar rrethimit më të gjatë në historinë moderne.

Përpara këtij rrethimi, që ka zgjatur një vit më shumë se rrethimi i Leningradit nga forcat naziste në Luftën e Dytë Botërore, Sarajeva ka qenë një mikrokozmos i Bosnjës: një përzierje e serbëve ortodoksë, kroatëve të krishterë dhe boshnjakëve myslimanë.

Por, një referendum për pavarësi ka nxjerrë në pah dallimet midis grupeve dhe ka ngritur lart tensionet, pasi Begradi ka bërë përpjekje ta parandalojë ndarjen e Jugosllavisë së atëhershme.

Boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës kanë mbështetur shtetin e pavarur. Serbët e Bosnjës, qëllim i të cilëve ka qenë të krijojnë një shtet të ri serb në Bosnje, i cili do të përfshinte zonat e boshnjakëve, e kanë bojkotuar referendumin.

Ditën kur ka mbaruar votimi, më 1 mars, 1992, një dasmë ortodokse në Sarajevë është shndërruar në tragjedi, pasi një person i armatosur mysliman ka hapur zjarr në një mosmarrëveshje, derisa dasmorët, me flamuj serbë, kanë kaluar nëpër Zonën e Pazarit të Vjetër të qytetit.

Paraushtarakët serbë janë përgjigjur shpejt, duke ngritur barrikada në qendër të Sarajevës, por demonstratat paqësore që kanë pasuar, kanë ndihmuar në qetësimin e situatës.

Megjithatë, në gjithë Bosnjën kanë nisur të shpërthejnë luftime sporadike dhe kur policia serbe ka vrarë dy oficerë dhe një civil, është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe serbët kanë rindërtuar barrikadat e tyre.

Këtë herë, protestat ishin të kota. Më 5 prill, Suada Deliberoviq, myslimane, dhe Olga Suçiq, e krishterë, janë vrarë nga persona të armatosur, derisa kanë qenë duke kaluar mbi urën Vrbanja,

Që nga e nesërmja e asaj dite, sarajevasit kanë hyrë në një periudhë gati katërvjeçare të bomabardimeve të përditshme, pa ujë, pa rrymë dhe pa ushqime.

Ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Stanisllav Galliq, në gjyqin e tij për pjesëmarrje në rrethim, ka pranuar se veprimi ushtarak ka qenë i egër.

“Për një qytetar të Sarajevës nuk ka pasur vend për t’u fshehur nga sulmet. Ai nuk ka qenë i sigurt as në shtëpi, as në shkolla, as në spitale”, ka thënë ai në Gjykatën Ndrërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Në dhjetor të 2003-ës, Galliq është dënuar me 20 vjet burgim.

Në tetor të vitit 1995, rrethimi është hequr me një marrëveshje për armëpushim. Dy muaj më vonë, Marrëveshja e Dejtonit për paqe e ka ndarë Bosnjën në dy rajone autonome: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Serbe.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG