Ndërlidhjet

Banka Botërore: Kosova me rritjen ekonomike më të madhe në rajon


Ilustrim

Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2016, kurse gjatë këtij viti rritja ekonomike pritet të arrijë në 3.9 për qind, që konsiderohet më e larta në rajon, ka bërë të ditur Banka Botërore gjatë një prezantimi të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore tha se rritja ka ndodhur për shkak të investimeve dhe konsumit dhe nënvizoi se rritje ka pasur me krijimin e vendeve të reja të punës, megjithëse nuk u dhanë numra të saktë.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se pavarësisht parashikimeve pozitive për rajonin dhe Kosovën, megjithatë ende ka nevojë për përmirësim, konkretisht në krijimin e kushteve për punësim.

Lajmi i dytë pozitiv që ka të bëjë më Kosovën, ngjashëm sikurse me vendet e rajonit, është se kjo rritje po tregon shenjat e ndikimit që kishte tregu i lirë. Pra kemi evidencë për krijimin e vendeve të reja të punës . Por raporti nuk specifikon numrin”, tha ai.

Matovanelli tha se Kosova duhet të krijojë kushte për konkurrencë të jashtme, pasi mungojnë kapacitetet për eksport të prodhimeve.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova është në gjendje të krijojë vende të reja të punës në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të rinjtë, kategori kjo që është një aset që e dallon Kosovën nga vendet tjera të rajonit, vlerësoi Matovanelli.

Pra ka sinjale pozitive, por duhet të bëhet më shumë. Mesazhi ynë është se reformat më kalimin e kohës, duhet të ndihmojnë ekonominë rreth produktivitetit të brendshëm dhe kapaciteteve më të mira për të qenë konkurrentë jashtë vendit”.

Dhe kjo është vërtet dhe vlen për biznesin mjedisor, por gjithashtu edhe për krijimin e shkathtësive të reja për popullatën e re, në mënyrë që të jetë në gjendje të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Edhe Agim Demukaj, ekonomist i Bankës Botërore në zyren në Prishtinë, ka treguar se gjatë vitit të kaluar në Kosovë pasur krijim të vendeve të reja të punës, deficiti fiskal ka qenë më i ulët, sektori financiar ka pasur performacë të mirë, por që ka pasur një rënie të lehtë të investimeve të huaja.

Kurse në rritjen ekonomike, sipas tij, ka ndikuar diaspora më remitenca dhe investime.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore edhe gjatë këtij viti do të ketë rritje ekonomike.

Parashikimet tona për vitin 2017 janë se do të ketë një rritje 3.9 për qind, do të ketë një ngritje nga viti i kaluar. Kurse në vitin 2018, parashohim se do të ketë një rritje më të madhe. Shtytësit kryesor të kësaj rritjeje gjatë këtij viti, dhe vitin tjetër do të jenë prapë investimet që është shumë pozitive, pasi krijohet një bazë më e madhe e prodhimit, një bazë më e qëndrueshme për të ardhmen”, ka thënë Demukaj.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë, i quajnë inkurajuese shifrat për rritje ekonomike të Bankës Botërore, por të pamjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm.

Eksperti Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se për ta ulur nivelin e papunësisë, Kosova duhet të ketë dyfishin e rritjes ekonomike të prezantuar nga Banka Botërore.

Mendoj se bazuar në shtimin e popullsisë që ka Kosova, ku 30 mijë të rinj për çdo vit futën në tregun e punës, atëherë Kosova ka nevojë për dyfishimin e kësaj rritjeje ekonomike. Ne duhet të bëjmë përpjekje që të intensifikojmë të gjitha resurset tona të brendshme për inkurajuar investimet e jashtme dhe për të mobilizuar potencialet tona të brendshme që kjo rritje të jetë të paktën dyfishi i saj. Tek atëherë, do të fillojmë të luftojmë papunësinë, që në Kosovë është jashtëzakonisht e madhe”, thotë Gashi.

Kurse sa përket industrisë bankare, sipas Bankës Botërore, sektori bankar është i qëndrueshëm dhe likuid. Gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të nivelit të kredive dhe depozitave, kurse ka pasur ulje të nivelit të kredive jo përfomuese. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG