Ndërlidhjet

Avokati i Popullit i shqetësuar për qasjen e të burgosurve në shëndetësi


Ilustrim
Ilustrim

Avokati i Popullit në Kosovë ka ngritur shqetësime të thella për, siç thotë, nivelin e ulët të shërbimeve shëndetësore në Qendrat Korrektuese në vend dhe me shkallën e lartë të ankesave të vetë të të burgosurve për këtë çështje.

Shqetësimet u ngritën në periudhën kur në burgun e Lipjanit, 10 kilometra në jug të Prishtinës, u gjet i vdekur në rrethana ende të pasqaruara një i burgosur, Naser Makolli.

Ai ishte njëri nga dëshmitarët e vdekjes të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, vitin e kaluar në burgun e Prizrenit, vdekje kjo që vazhdon të nxisë kundërthënie të mëdha.

Ministria e Shëndetësisë tha gjatë javës së Makolli ishte nën përkujdesje mjekësore për shkak të komplikimeve shëndetësore.

Një zëvendëse e Avokatit të Popullit, Shqipe Ibraj-Mala, i tha Radios Evropa e Lirë se nga të burgosurit ankesat më të mëdha i marrin për qasje në shërbime shëndetësore.

Numri më i madh i ankesave që i pranojmë ka të bëjë me qasjen në shëndetësi dhe mosofrimin e duhur shëndetësor. Tani vonë po shihet një përmirësim i ofrimit, megjithatë numri më i madh i ankesave që mbesin nga qendrat korrektuese, është qasja në shëndetësi. Ne ankesat i trajtojmë individualisht dhe ato referohen tek organet kompetente”, tha Ibraj-Mala.

Qasja në shërbimet shëndetësore iu kalua në përgjegjësi Ministrisë së Shëndetësisë pak vjet më parë nga Minsitria e Drejtësisë që mbante këtë të drejtë që prej themelimit të Qendrës Korrektuese. Ministria e Shëndetësisë, prej më shumë se tre vjetësh ka krijuar një Departament të shëndetësisë në burgje që të përkujdeset për të burgosurit.

Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje ka kundërshtuar kritikat për qasjen e vështirë në shërbimet shëndetësore të të burgosurve, duke theksuar se ‘në burgje ekziston shërbimi 24 orësh’.

Sipas tij, në qendra paraburgimi mjekët punojnë 5 ditë në javë, kurse në burgje 7 ditë nga 12 orë.

Gjithashtu ka psikologë dhe psikiatër. Sa i përket qasjes në shërbime shëndetësore, 24 orë kanë qasje dhe mund të drejtohen në rast nevoje. Të gjitha shërbimet që nuk mund të kryhen në kuadër të këtyre institucioneve, pacientët dërgohen në nivelin dytësor, por edhe tretësor, varësisht nga rasti. Ekzistojnë edhe dhoma të sigurta brenda spitaleve rajonale”, thotë Gjoci.

Por një Qendër Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që prej vitit 2007 ka monitoruar të gjitha institucionet korrektuese në Kosovë, duke bërë vlerësimin e të drejtave të njeriut, thotë se qasja në këto institucione po vështirësohet.

Alban Muriqi, menaxher i projektit për të drejtat e njeriut në institutcionet korrektuese të Kosovës nga kjo Qendër, thotë se ankesat për qasje në shërbime shëndetësore janë shtuar kohët e fundit dhe ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë i ka ndërprerë Qendrës mundësinë e vizitave.

Ne kemi kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, por kohët e fundit kemi pasur vështirësi në qasje dhe na është ndaluar qajsa në shërbimin shëndetësor të burgjeve. Kjo është një praktikë e pa shembullt, pasi ne kemi të drejtë të hyjmë dhe të inspektojmë çdo hapësirë. Ka një muaj nuk kemi qasje në ambulanta në aspektin shëndetësor. Shpresoj se do të tejkalohet”, thotë Muriqi.

Organizata që ai përfaqëson, thotë Muriqi, në raportet e saj ka qenë kritike ndaj punës në shërbimet korrektuese.

Raportet tona kanë ndikuar që disa anëtarë të stafit të thirren në përgjegjësi disiplinore. Kjo nuk i ka pëlqyer shumë shërbimit shëndetësor dhe janë marrë masat. Ne tashmë na kanë ndaluar qasjen dhe ka ftohje të raporteve”, ka thënë Muriqi.

Megjithkëtë, Milazim Gjoci, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë në burgje, thotë se Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës nuk ka kontratë për monitorimin e shërbimeve shëndetësore në burgje.

Në asnjë pikë nuk thuhet se ata e moritorojnë shëndetësinë në burgje, por e monitorojnë sigurinë. Për të hyrë në burg duhet të ketë marrëveshje dhe leje, e ata nuk e kanë. Kemi pasur bashkëpunim me ta, por ka skaduar kontrata. Ne nuk kemi të drejtë të bashkëpunojmë me një OJQ pa leje pasi është e kundërligjshme”.

Gjendja në shërbimin shëndetësor në burgje, thotë zyra e Avokatit të Popullit, është serioze dhe për të tejkaluar situatën, ky organ ‘ka kërkuar pezullimin e dënimeve për rastet që kanë komplikime shëndetësore’.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar anulimin e të gjitha pezullimeve pa dallim.

Zyra e Avokatit të Popullit thotë se kërkesa e Ministrisë është bërë pas një sërë të keqpërdorimeve nga persona të caktuar, që ka ndikuar negativisht te të burgosurit e tjerë, që kanë pasur nevojë për trajtime seerioze shëndetësore, jashtë shërbimit korrektues.

Organizatat që monitorojnë burgjet ndërkaq kanë raportuar disa herë për veprimtari korruptive dhe keqpërdorime brenda burgjeve, për ç’gjë një numër i zyrtarëve të burgjeve janë ndjekur penalisht. (REL)

XS
SM
MD
LG