Ndërlidhjet

Malala – Lajmëtare e Lirisë e Kombeve të Bashkuara


Malala gjatë shpalljes për Lajmëtare të Lirisë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres
Malala gjatë shpalljes për Lajmëtare të Lirisë nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, është bërë Lajmëtarja e Lirisë e Kombeve të Bashkuara, më e reja deri tash.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka nominuar Malalën 19 vjeçare, me rolin për fokusim në arsimin e vajzave, në një ceremoni të mbajtur mbrëmë në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Ju nuk jeni vetëm hero, por ju jeni një person shumë i përkushtuar dhe bujar”, i tha Malalës zoti Guterres.

“Pasi t’i arsimojmë vajzat, ne e kemi ndryshuar komunitetin dhe gjithë shoqërinë”, tha Malala dhe ka shtuar se “shpresoj dhe i inkurajoj vajzat e reja se ju duhet të besoni në vetveten tuaj”.

Malala u bë e njohur në përmasa ndërkombëtare pasi ishte qëlluar me armë në kokë në autobusin e saj shkollor në Pakistan, në vitin 2012, nga një person i armatosur taliban, për shkak se ajo kishte bërë fushatë për arsimin e vajzave.

Malala, e lënduar rëndë, mbijetoi pas trajtimit mjekësor në Britani, ku ajo tash jeton dhe shkollohet.

Deri tash, ajo ka udhëtuar nëpër botë, duke e promovuar arsimin e vajzave si mundësi kundër dhunës së paraqitur nga grupi militant, Shteti Islamik.

Për këto përpjekje, kur ishte 16 vjeçare, ajo në vitin 2014 u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë fituesja më e re e këtij çmimi prestigjioz.

XS
SM
MD
LG