Ndërlidhjet

Tillerson: Rusia të zgjedhë ndërmjet SHBA-ve apo Assadit

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson merr pjesë në takimin e G7-ës në Luka të Italisë

Ministrat e jashtëm të Grupit të 7 vendeve të industrializuara (G7) janë takuar sot me aleatët në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike për konfliktin në Siri, para vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Rusi.

Rusia është mbështetësi më i madh i presidentit të Sirisë, Bashar al-Sassad.

Por, ministrat në takimin në Luka të Italisë, ishin të ndarë për kërcënimin me sanksione të reja ose për masa më të ashpra kundër Rusisë, në mënyrë që Moskës t’i bëhet presion për shkak të mbështetjes për Assadin.

Ekziston një presion që Rusia t’i ndërprejë lidhjet me Assadin, për shkak të akuzave se ai kishte lansuar sulm kimik, javën e kaluar, në një qytet që është nën kontrollin e kryengritësve.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë, që më 7 prill kishte urdhëruar sulme me dhjetëra raketa speciale, kundër një bazë ajrore në Siri, për të cilën Uashingtoni thotë se ishte vend prej nga është lansuar sulmi kimik, thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin sulme të mëtejshme ushtarake kundër forcave të Sirisë, nëse qeveria e këtij vendi vazhdon të përdorë armatim kimik.

Sekretari Tillerson, që në Moskë pritet të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas konusltimeve në takimin e G7-ës, tha se Assadi nuk do të lejohet të përdorë përsëri armatim kimik.

Ai theksoi se prioritet në Siri dhe Irak, për të gjitha vendet, mbetet tu shkaktohet disfatë estremistëve nga i ashtuquajturi, Shtet Islamik.

Por, Tillerson, po ashtu, theksoi se aleancat e Rusisë në rajon me Assadin, Iranin dhe lëvizjen Hezbollah në Liban, nuk u shërben interesave të Rusisë dhe se Moska do të duhej të rirreshtohej me Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët.

Ai është shprehur edhe për sulmet raketore amerikane kundër një baze ajrore në Siri.

Sulmet tona raketore në përgjigje të përsëritjes së përdorimit të armatimit të ndaluar, ishin të domosdoshme si çështje e interesit të sigurisë kombëtare amerikane. Ne nuk dëshirojmë që rezervat e pakontrolluara të armatimit kimik të regjimit, të bijnë në duar të IS-it ose të grupeve të tjera terroriste, që mund dhe dëshirojnë t’i sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët tanë. Ne, po ashtu, nuk mund ta pranojmë normalizimin e përdorimit të armatimit kimik nga aktorët e tjerë ose vendet në Siri apo tjetërkund”, tha Rex Tillerson në deklaratën e tij për media, pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm të G7-ës.

Britania dhe Kanadaja kanë thënë se sanksionet kundër Rusisë mund të ashpërsohen nëse Moska e vazhdon mbështetjen për qeverinë e Assadit.

Por, pas takimit të sotëm, ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, tha se nuk ka marrëveshje për zgjerim të sanksioneve kundër Rusisë ose Sirisë.

Ministri Ayrault tha se është koha që Rusia ta përfundojë “hipokrizinë” duke e mbështetur Assadin.

Ne u themi rusëve: shfrytëzojeni mundësinë për ta distancuar veten tuaj nga tmerret e regjimit të Bashar al-Assadit dhe përfundimisht tregoni me sinqeritet se ju dëshironi paqe”.

Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, i cili e ka kryesuar takimin, tha se ministrat janë pajtuar se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për Sirinë dhe Moska duhet që “sa më shpejtë të jetë e mundur” të përfshihet në bisedime të paqes.

Ministri i jashtë gjerman, Sigmar Gabriel, tha se Rusia dhe Irani duhet të përfshihen në procesin e paqes në Siri. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG